Politike
Të hënën do bien kambanat/ Bardhi sfidon SPAK: Dosja Rama-McGonigal nuk mbulohet me pluhur

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas publikimit të dhënave të reja nga DASH lidhur me aferën Rama-McGonigal, duke e cilësuar këtë zhvillim si një ‘këmbanë alarmi’ për SPAK.
Në një postim në FB, Bardhi shkruan se si kallëzues zyrtar i çështjes pranë SPAK, të hënën do t’u dorëzojë prokurorëve të posaçëm informacionin e ri të publikuar nga autoritetet amerikane, me qëllim që dosja, sipas tij, të mos mbetet më ‘nën pluhur’ në Shqipëri.
‘Shpresoj që këtë herë SPAK të mos më ndalojë publikimin e informacionit. Qytetarët kanë të drejtë të dinë. Askush nuk është mbi ligjin’, shkruan Bardhi.
Postimi i plotë në FB:
Publikimi i dosjes me të dhëna të reja për aferën Rama-McGonigal nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, është më së shumti një këmbanë alarmi për Prokurorinë e Posaçme se kjo çështje nuk do mund të lihet kurrë në harresë.
Si kallëzues i kësaj afere në SPAK, të hënën do t’i paraqes zyrtarisht prokurorëve të posaçëm të dhënat e reja të bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, me shpresën se ky zhvillim i ri atje do të heq pluhurin nga dosja penale në Shqipëri.
Gjithashtu, në përputhje me të drejtat që më njeh ligji procedural penal, do të rikërkoj informacion mbi hetimin e kësaj çështje dhe veprimeve hetimore që janë zhvilluar gjatë kësaj kohe, duke shpresuar se këtë herë SPAK nuk do të më ndalojë me vendim publikimin e informacionit. Qytetarët kanë të drejtë të kenë transparencë të plotë mbi këtë hetim dhe ecurinë e tij. Askush nuk mund të trajtohet si i paprekshëm dhe mbi ligjin.

