Connect with us

Politike

Lorenc Vangjeli: Rama ka të drejtë kur flet për një sistem drejtësie i cili është represiv

Analisti Lorenc Vangjeli deklaroi se përplasja mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë ka krijuar një krizë institucionale që nuk u sqarua nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, ndryshimet e pjesshme në Kodin e Procedurës Penale nuk e zgjidhin problemin dhe mund të prodhojnë efekte anësore më të rënda.
Në analizën e tij, Vangjeli theksoi se ekziston një dilemë e pazgjidhur mes dy pushteteve, atij ekzekutiv dhe atij të drejtësisë. Ai u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk arriti ta sqarojë plotësisht këtë përplasje dhe se zgjidhjet e pjesshme nuk japin përgjigje të qëndrueshme.
Sipas tij, edhe në rast të një ndryshimi të Kodit të Procedurës Penale, situatat aktuale nuk do të preken, pasi kodi nuk ka fuqi prapavepruese. Për këtë arsye, ai e konsideroi debatin aktual më tepër politik sesa praktik.
Analisti theksoi se mungesa e reflektimit brenda shumicës qeverisëse, përfshirë ish-ministrin e Drejtësisë dhe drejtuesit parlamentarë, tregon një vakum institucional. Ai e cilësoi situatën më të rëndë sesa një episod i zakonshëm i kalendarit politik, duke shtuar se politika po ndërthuret gjithnjë e më shumë me zhvillime që i përkasin kronikës së zezë.
‘Është e vërtetë që ka një krizë institucionale dhe një dilemë të cilën as Gjykata Kushtetuese nuk e sqaroi dot, nuk mundi ta sqarojë dot për këtë pikë të përplasjes së dy pushteteve, atij të ekzekutivit dhe pushtetit të drejtësisë. Nuk zgjidhet në këtë mënyrë të pjesshme, ngaqë zgjidhjet e pjesshme të japin ëh, efekt anësor edhe më të vështirë. Por që nuk është se kanë ndonjë rëndësi të posaçme në këtë rast, madje edhe mbi vetë synimin e paramenduar apo të fshehur edhe që nuk shprehet. Sepse kodi nuk ka vendim prapaveprues. Në këtë rast çfarë, çfarë po ndodh dhe çfarë është në proces, nuk ndryshon nga një ndryshim i mundshëm i kodit të procedurës.
Pse do të duhej të ishte ndryshe? Shikoni, Rama ka disa muaj që po flet shumë, fjala vjen, për paraburgimin. Për një masë e cila në Shqipëri është shndërruar në formë. Në thelb ka të drejtë kur flet për një sistem drejtësie i cili është represiv.
Por duke e mbajtur këtë flamur, shtrirë në drejtim tjetër tek SPAK-u, që duket se tejkalon kompetencat, këto janë dy gjëra të cilat nuk përputhen. Me fjalë të tjera, as bashkëfirmosësi i tij i nesërm, që ka qenë edhe ministër i Drejtësisë, nuk e ka vënë re këtë vakum, as kryetari i grupit të tij parlamentar, as ai si kryeministër jo e jo, dhe as shpurra e madhe e njerëzve të cilët e rrethojnë, që nuk i kanë rrëfyer, njëlloj si të thuash që në verë të paralajmërosh se në dimër do të ketë shira.
Ndaj, e tëra mua më duket shumë më e rëndë sesa ky detaj, i pjesshëm i kalendarit të kronikës sonë politike, e cila, siç po ndodh rëndom kohët e fundit, kronika politike flet me kronikën e zezë’, tha Lorenc Vangjeli

Advertisement