Aktualitet
PROTESTA ME MOLOTOVE, 17 PERSONA TE ARRESTUAR
Nga protesta e organizuar një ditë më parë nga Partia Demokratike, janë shoqëruar në total 52 persona, ndërsa 17 prej tyre janë arrestuar dhe 35 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Tubimi i thirrur nga kreu i opozitës, Sali Berisha, u shoqërua me tensione të forta para godinës së Parlamentit dhe më herët pranë Kryeministrisë, ku një pjesë e protestuesve hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të forcave të rendit.
Policia reagoi me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Sipas deklarimeve të opozitës, sasi të konsiderueshme gazi lotsjellës janë hedhur edhe në oborrin dhe ambientet e selisë së PD-së, pak minuta pas përfundimit të protestës kombëtare të 20 shkurtit.
PD pretendon se ndërhyrja ka sjellë të lënduar dhe ka ndërprerë edhe faljen e besimtarëve myslimanë në ditën e tretë të muajit të Ramazanit, duke prekur zonën pranë Xhamisë së Namazgjasë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi ndërhyrjen e policisë si “akt të paprecedent” dhe “hakmarrje” ndaj opozitës, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për përshkallëzim të situatës. Ai paralajmëroi organizimin e një tjetër proteste kombëtare, që sipas tij do të jetë “më e madhja”.
Ndërkohë, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, dënoi çdo akt dhune dhe u bëri thirrje organizatorëve të distancohen nga incidentet, duke theksuar se dhuna rrezikon jetën e qytetarëve, policëve dhe gazetarëve.
Sipas raportimeve nga terreni, tensionet nisën ende pa përfunduar fjalimi i Berishës pranë Kryeministrisë, kur disa protestues hodhën molotovë drejt godinës. Pas ndërhyrjes së Policisë, protesta u zhvendos drejt Parlamentit, ku situata mbeti e tensionuar për disa minuta.
Detaje të tjera pritet të bëhen publike rreth zhvillimeve gjatë protestës dhe procedimit të demonstruesve të Partisë Demokratike, pasi nuk kanë munguar as përplasjet e deputetëve me forcat e rendit.