Kosova
Situata në Kosovë, katastrofë/ Edward Joseph: Kaosi politik po i jep avantazh Serbisë
Ish-zyrtari amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Edward Joseph, e ka përshkruar situatën aktuale politike në Kosovë me një fjalë të vetme: “katastrofë”. Në një intervistë ai tha se vendi po përballet me një krizë të krijuar artificialisht dhe me pasoja serioze për stabilitetin institucional dhe për pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
“Pse e quaj artificiale? Sepse në Kosovë nuk kemi një situatë ku elektorati është i ndarë dhe rezultati zgjedhor është shumë i ngushtë. Ka pasur një rezultat të qartë zgjedhor dhe ai i ka dhënë përgjegjësinë kryeministrit Albin Kurti që të udhëheqë proceset për ta themeluar plotësisht qeverinë e Kosovës”, theksoi Joseph.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka pasur përgjegjësi të qartë për të çuar përpara procesin institucional, përfshirë edhe detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
“Kush përfiton nga kaosi politik në Kosovë? Serbia përfiton. Kjo është një humbje e madhe për Kosovën dhe një dhuratë për Aleksandar Vuçiq, i cili mund të thotë: ‘Shikoni këtë kaos, këtë të ashtuquajtur Kosovë që nuk funksionon si shtet’”, deklaroi Joseph qe theksoi gjithashtu se për një vend si Kosova, që përballet me një fqinj armiqësor dhe ende nuk gëzon njohje të plotë ndërkombëtare, stabiliteti politik dhe marrëdhëniet e forta me Shtetet e Bashkuara janë jetike. Ai shtoi se një mënyrë për të shmangur krizën do të ishte vazhdimi i mandatit të presidentes aktuale.
“Për interesat e Republikës së Kosovës do të ishte më mirë që Vjosa Osmani të vazhdonte të ishte presidente e vendit. Ajo ka ndërtuar një marrëdhënie respektuese dhe të respektuar me administratën në Uashington dhe kjo është thelbësore për Kosovën”, potencoi Joseph.