Bota
TRUMP PROPOZON: IRANI 20 VITE PA URANIUM
Sipas Axios dhe New York Times, Washingtoni i ka propozuar Teheranit një moratorium 20-vjeçar për pasurimin e uraniumit
Shtetet e Bashkuara i kanë propozuar Iranit një pezullim 20-vjeçar të pasurimit të uraniumit gjatë negociatave të zhvilluara në Islamabad, në përpjekje për të arritur një marrëveshje të re mbi programin bërthamor iranian.
Sipas Axios, Teherani e ka kundërshtuar këtë kërkesë duke paraqitur një kundërpropozim për një ngrirje më të shkurtër, me kohëzgjatje më pak se 10 vjet.
Ndërkohë, New York Times, duke cituar dy zyrtarë të lartë iranianë, raportoi se oferta konkrete e Iranit ishte një pezullim 5-vjeçar i reduktuar ndjeshëm, propozim që u refuzua nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Sipas të njëjtit raportim, Irani kundërshtoi gjithashtu një tjetër kërkesë kyçe të Washington-it për largimin jashtë vendit të materialit të pasuruar bërthamor.
Në vend të kësaj, Teherani ka propozuar hollimin e këtij materiali, alternativë që nuk është pranuar nga pala amerikane.
Megjithatë, një burim nga administrata amerikane deklaroi për Axios se palët mbeten ende të angazhuara në proces dhe po vijojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje.
Mbi 15 anije luftarake amerikane janë përfshirë në operacionin për bllokadën detare ndaj Iranit në Ngushticën e Hormuzit, raporton Wall Street Journal, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan.
Sipas burimit, në Lindjen e Mesme janë dislokuar një aeroplanmbajtëse, disa destrojerë me raketa të drejtuara, një anije amfibe sulmuese dhe një numër njësish të tjera luftarake.
Gazeta amerikane thekson se këto mjete janë gjithashtu të pajisura për të transportuar helikopterë që mund të përdoren në mbështetje të operacioneve detare gjatë zbatimit të bllokadës.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara kishte njoftuar më herët se operacioni për bllokadën detare ndaj Iranit ka nisur më 13 prill.
Sipas planit operacional, forcat amerikane synojnë të ndalojnë të gjitha anijet që lëvizin drejt porteve iraniane, si edhe ato që tentojnë të largohen nga brigjet e vendit.
Wall Street Journal raportoi gjithashtu se mijëra trupa amerikane janë vendosur në gatishmëri për të mbështetur operacionin, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se efektet ekonomike të një bllokade të tillë zakonisht kërkojnë kohë për t’u ndjerë.