Kosova
Beogradi i përshpërit Pragës në vesh/ Pas rënies së Orbanit, duan Babishin kundër Kosovës
Për shkak të goditjes fatale që pësoi regjimi i Viktor Orban në Hungari, që lëkundi boshtin pro-rus në Evropë, dëshpërimi diplomatik i Serbisë është zhvendosur drejt Çekisë, atje ku për momentin qeverisin populistët e djathtë anti-Kosovë.
Takimi i fundit në Pallatin Černín në Pragë mes ministrit të jashtëm serb, Marko Gjuriç, dhe homologut të tij çek, Petr Macinka, ka riaktualizuar tentativën diplomatike për të gjetur aleatë të rinj dhe për të rihapur dosjen e mbyllur të pavarësisë së Kosovës.
Macinka, i cili vjen nga rradhët e “Motoristëve për Vetëveten” të krahut të djathtë, ka përdorur një gjuhë të pazakontë diplomatike, duke e cilësuar njohjen e Kosovës në maj të vitit 2008 si “nënshtrim ndaj presionit të Shteteve të Bashkaura të Amerikës.
Por, ndonëse retorika e djathtistëve në Çeki ka ngjallur shpresat e Serbisë për një tërheqje të mundshme të njohjes, kryediplomati çeka e ka pranuar se qeveria e tij nuk do të ndërmarrë hapa “teatrale” për të ndryshuar realitetin juridik të njohjes së Kosovës.
E shefi i diplomacisë serbe nuk e ka fshehur entuziazmin nga qëndrimi i pasigurt i Pragës. Gjuriçi deklaroi se Macinka e konsideron Kosovën si “çështje serbe duke shtuar se mbështetja e Çekisë është shumë e rëndësishme për Serbinë.
Raportet midis Çekisë dhe Kosovës janë njollosur nga axhenda pro-serbe e ish-presidentit çek, Millosh Zeman, duke qenë se gjatë mandatit të tij, ai kishte deklaruar se “nuk e pëlqen Kosovën” dhe “do të propozojë që qeveria çeke të tërheqë njohjen.
Pas një periudhe të brishtë nën udhëheqjen e forcave liberale, të cilat bën përpjekje ta mbanin Çekinë brenda rrjedhës kryesore euro-atlantike, ringjitja në pushtet e miliarderit populist, Andrej Babish, ka rikthyer pasigurinë edhe për Kosovën.
Ndryshe, çështja e shtetësisë së Kosovës ka qenë herë pas here një temë që ka ndarë politikën e brendshme të Çekisë, ku politikanët çekë shpesh janë përplasur rreth qëndrimit të Pragës. Ajo është riaktualizuar pas rikthimit në pushtet të populistëve të djathtë, të cilët kanë dhënë sinjale se mund të shqyrtojë tërheqjen e njohjes së Kosovës.