Connect with us

Bota

“Nuk duam mikrobe izraelite’/ Presidenti kroat refuzon të miratojë emërimin e ambasadorit të ri izraelit

Presidenti kroat Zoran Milanoviç ka refuzuar prej shtatë muajsh të miratojë emërimin e ambasadorit të ri izraelit në Zagreb, në mes të tensioneve të vazhdueshme me qeverinë e djathtë të kryeministrit Andrej Plenkoviç, raportojnë mediat izraelite.

Sipas Ynet, diplomati izraelit Nissan Amdur, i cili u miratua nga Qeveria izraelite që në nëntor për të zëvendësuar ambasadorin aktual Gary Koren, nuk ka marrë ende aprovimin presidencial, një procedurë e nevojshme diplomatike në Kroaci. Për pasojë, ai pritet të mbërrijë në Zagreb vetëm si i ngarkuar me punë, një post që nuk kërkon firmën e presidentit.

Raporti e cilëson këtë si një rast të paprecedentë në Kroaci dhe një shkelje serioze të protokollit diplomatik. Burime të afërta me çështjen thonë se bllokimi lidhet me konfliktin e brendshëm mes Milanoviç dhe qeverisë kroate, ndërsa presidenti po refuzon gjithashtu të miratojë edhe disa ambasadorë kroatë jashtë vendit.

Milanoviç ka qenë shpesh në qendër të kritikave për deklaratat e tij ndaj Izraelit. Në mars ai akuzoi Izraelin për “terrorizëm” në Gaza dhe Lindjen e Mesme, ndërsa pas një deklarate të ambasadorit Gary Koren për praninë iraniane në Kroaci, presidenti kroat reagoi ashpër duke thënë: “Nuk duam infeksione dhe mikrobe të huaja në Kroaci, as izraelite dhe as iraniane”.

Deklaratat e tij shkaktuan reagim të fortë nga ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, i cili i quajti komentet “gjuhë urrejtjeje” dhe me qasje antisemitiste.
Pavarësisht tensioneve politike, bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve ka vijuar. Në shkurt, ministri kroat i Mbrojtjes Ivan Anusiç vizitoi Izraelin dhe falënderoi homologun izraelit Israel Katz për miratimin e eksportit të sistemit mbrojtës “TROPHY” për tanket kroate.

Megjithatë, Milanoviç e kritikoi publikisht vizitën dhe deklaroi se kishte urdhëruar ndërprerjen e bashkëpunimit ushtarak me Izraelin për shkak të veprimeve të ushtrisë izraelite në Gaza.

Advertisement