Aktualitet
Paralajmëron Demiraj: Emërimi i Eric Wendt, sinjal i fortë amerikan për korrupsionin në Shqipëri!
Koloneli Dritan Demiraj ka deklaruar se emërimi i Eric Wendt si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri do të sjellë një qasje më të ashpër ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe manipulimit të zgjedhjeve në vend.
Demiraj e cilësoi Wendt si një nga profilet më të spikatura ushtarake dhe diplomatike amerikane, duke përmendur eksperiencën e tij në drejtimin e forcave speciale të NATO-s, misionet ndërkombëtare dhe strukturat strategjike të Indo-Paqësorit.
Sipas tij, përzgjedhja e një figure të tillë tregon se Uashingtoni po e konsideron situatën në Shqipëri jo thjesht si çështje të brendshme politike, por si problem të sigurisë kombëtare.
“Korrrupsioni në nivelet e larta në Shqipëri, lidhja e një pjese të rëndësishme të strukturave qeveritare me krimin e organizuar dhe manipulimi i zgjedhjeve do të trajtohen nga SHBA jo më si çështje të brendshme, por si çështje të sigurisë kombëtare”, u shpreh Demiraj në SYRI TV.
Demiraj: Nga komandant grupi i Beretave të Gjelbra dhe deri në drejtimin e Komandës për Forcat e Operacioneve Speciale të NATO-s, pra i forcave speciale të gjithë NATO-s, përfshi edhe Komandën e Forcave Speciale në Evropë. Flet qartë për një… për një eksperiencë të jashtëzakonshme.
Jo vetëm për sa i përket njohjes së situatave dhe problematikave gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, por edhe nga ana tjetër edhe karriera e tij si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në negociim midis palestinezëve, izraelitëve, dhe komanda e tij në një nga pikat më kryesore të rëndësisë gjeografike në Indo-Paqësor si komandant i Forcave Speciale dhe zëvendëskomandant i Komandës Indo-Paqësore, një nga rajonet në të cilat në të ardhmen pritet që të ketë një konflikt.
Tregon qartë që profili i tij është një nga profilet më të jashtëzakonshme dhe Shqipëria me këtë rast ka një fat që i drejtohet ambasada amerikane, por edhe politika e jashtme amerikane, që të ketë një standard të tillë përfaqësues. Pra përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të përfaqësohet nga një person me status të tillë.
Ka një domethënie të jashtëzakonshme. Kjo për shkak se korrupsioni në nivelet e larta në Shqipëri, lidhja e një pjese të rëndësishme të gjithë strukturave qeveritare me krimin e organizuar, vjedhja e zgjedhjeve… por jo vetëm, do fillojnë të trajtohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo më si çështje të brendshme, por si çështje të sigurisë kombëtare.
Dhe unë besoj që prej kohësh, edhe mesazhet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Sekretarit të Shtetit, kanë qenë të rëndësishme duke e konsideruar korrupsionin galopant në Shqipëri si një faktor destabilizues dhe jo si një kompromis politik.
Dhe pikërisht, unë gjykoj se manipulimi i zgjedhjeve prej 14 vitesh do të jetë në fokus të punës të ambasadorit të ri, i cili nuk besoj se do të pranojë fasada demokratike, por do të kërkojë standarde reale për sa i përket rezultateve konkrete nga politika shqiptare.
Për shkak se kapja e një pjese të madhe të drejtësisë, dhe mosfunksionimi i asaj siç duhet, sigurisht një pjese të madhe të sistemit të drejtësisë ne e kemi mbështetur dhe vazhdojmë ta mbështesim, por ato vazhdojnë të jenë themeli i mbijetesës së paligjshme të pushtetit aktual.
Dhe këtu e kam fjalën, ju e keni parë që pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të opozitës, një pjesë siç kemi ish-zv/kryeministrin, po dhe ministra të tjerë, po mbrohen me të gjitha format e paligjshme nga sistemi i drejtësisë nëpërmjet ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama.
Unë mendoj që, për shkak edhe të eksperiencës 30 vjeçare në forcat speciale dhe pesë vjet të tjera përpara pastaj tek njësitë e ushtrisë konvencionale amerikane.
Ardhja e një ambasadori të ri do të synojë të theksojë përshpejtimin e procedurave ose të reformave ushtarake, për të cilat për hir të së vërtetës vitet e fundit Shqipëria edhe për shkak të situatës gjeopolitike, por edhe për shkak të drejtimit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nga një përsëri nga një koleg i forcave speciale, i cili krejt ndryshe nga tre-katër shefat e shtabeve të mëparshëm që s’kanë bërë asnjë punë, po krijon një momentum i cili në mënyrë të veçantë tre-katër vitet e fundit ka krijuar një procedurë dhe reforma cilësore në Forcat e Armatosura, të cilat janë ndjerë edhe në drejtim të modernizimit dhe fuqizimit të këtyre strukturave, por edhe të përmirësimit të pagave, kushteve të stërvitjes dhe të punës.