Connect with us

Bota

40 votime për t’u pranuar/ Antonio Costa: Duhet të thjeshtojmë procesin e anëtarësimit

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, mbështeti thjeshtimin e rregullave të Bashkimit Evropian për pranimin e anëtarëve të rinj, duke thënë se blloku duhet të “përshpejtojë” procesin e zgjerimit për t’u treguar partnerëve të Ballkanit Perëndimor se është “serioz” në realizimin e aspiratave të tyre për anëtarësim në BE.
Costa propozoi mënyra për të thjeshtuar metodologjinë aktuale, e cila shpesh është cilësuar si e rëndë dhe një nga arsyet e frustrimit në rajon, ku disa vende presin prej gati dy dekadash për të avancuar drejt anëtarësimit.
“Aktualisht duhet të votojmë më shumë se 40 herë gjatë gjithë procesit”, tha Costa, duke shtuar se BE-ja mund të shqyrtojë mundësinë e reduktimit të numrit të vendimeve për ta bërë procesin më të shpejtë dhe më efikas.
Anëtarësimi në BE kërkon miratimin unanim të të gjitha shteteve anëtare në disa faza të procesit, gjë që u jep qeverive mundësinë të përdorin të drejtën e vetos.
“Personalisht besoj se nuk kemi nevojë për unanimitet për hapjen e kapitujve dhe grup-kapitujve. Na duhet unanimitet vetëm për mbylljen e tyre”, tha Costa, duke iu referuar 33 kapitujve të procesit të anëtarësimit, të organizuar në gjashtë grupime tematike.
Ai shtoi se çështjet dypalëshe që mund të pengojnë një vend kandidat duhet të zgjidhen mes vetë vendeve të përfshira, me mbështetjen e institucioneve evropiane, por pa dëmtuar procesin e anëtarësimit.
Megjithëse nuk specifikoi se si mund të integrohen gradualisht vendet e reja në institucionet e BE-së, një propozim i fundit i kancelarit gjerman Friedrich Merz për Ukrainën sugjeronte kufizimin e përkohshëm të së drejtës së votës si pjesë e një “anëtarësimi të asociuar” përpara anëtarësimit të plotë.

Advertisement