Connect with us

Aktualitet

Irani i hap derën dialogut me SHBA-në, por vendos kushte: Nuk kemi besim te Uashingtoni

Irani është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara, por vetëm nëse Uashingtoni dëshmon se është një partner i besueshëm dhe respekton rregullat e negociatave. Kështu është shprehur Ebrahim Azizi, kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në Parlamentin iranian.
Në një intervistë për “CNN”, Azizi tha se Teherani nuk është kundër dialogut me SHBA-në, por theksoi se mungesa e besimit mbetet pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë.
“Nëse do të bindeshim se pala amerikane është serioze dhe respekton rregullat e negociatave, atëherë Republika Islamike nuk do të kishte asnjë problem me dialogun”, deklaroi ai.
Megjithatë, zyrtari iranian akuzoi administratën amerikane se nuk po vepron me sinqeritet gjatë procesit të bisedimeve, të cilat synojnë ta shndërrojnë armëpushimin e përkohshëm në një marrëveshje të qëndrueshme.
“Ne e shohim negociimin si vazhdim të fushëbetejës. Negociatat janë pjesë e betejës”, u shpreh Azizi.
Ai pretendoi gjithashtu se SHBA-ja kishte premtuar lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit, por sipas zyrtarit, deri më tani nuk ka pasur asnjë hap konkret në këtë drejtim.
I pyetur nëse ekziston mundësia e një marrëveshjeje paqeje mes Teheranit dhe Uashingtonit, Azizi tha se gjithçka varet nga veprimet e SHBA-së.
“Nëse këto sjellje vazhdojnë, atëherë jo. Nuk kemi aspak besim”, deklaroi zyrtari i lartë iranian.
Komentet e zyrtarit iranian vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për të konsoliduar armëpushimin dhe për të shmangur një përshkallëzim të ri në rajon vijojnë të mbeten në fokus të diplomacisë ndërkombëtare.

Advertisement