Connect with us

Bota

Merr fund konflikti, arrihet marrëveshja SHBA-Iran; pakti firmoset në Zvicër

Një zhvillim me rëndësi të jashtëzakonshme në Lindjen e Mesme duket se ka marrë formë, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë arritur një marrëveshje paraprake që synon t’i japë fund konfliktit dhe të hapë rrugën për negociata të mëtejshme.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit është përfunduar, duke deklaruar se SHBA do të heqë menjëherë bllokadën detare ndaj porteve iraniane dhe do të autorizojë rihapjen e lirë të Ngushticës së Hormuzit, një nga arteriet më strategjike të transportit të naftës në botë.

Nënshkrimi i marrëveshjes me Republikën Islamike të Iranit tashmë është përfunduar. Urime të gjithëve!”, shkroi Trump në platformën Truth Social, duke shtuar: “Anijet e botës, ndizni motorët. Le të rrjedhë nafta!”.

Pak më vonë ka ardhur edhe konfirmimi nga Teherani. Zëvendësministri iranian për Çështjet Ligjore dhe Ndërkombëtare, Kazem Gharibabadi, deklaroi për mediat shtetërore se teksti i memorandumit të mirëkuptimit me SHBA-në është finalizuar dhe se ceremonia zyrtare e nënshkrimit do të zhvillohet të premten në Zvicër.

Sipas tij, angazhimet e të dyja palëve do të hyjnë në fuqi duke filluar nga dita e premte, ndërsa dy masa kryesore do të zbatohen menjëherë: fundi i menjëhershëm dhe i përhershëm i luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin, si dhe heqja dhe përfundimi i bllokadës detare amerikane ndaj Iranit.

Pakistani, i cili ka luajtur një rol kyç si ndërmjetës gjatë negociatave, ka bërë të ditur se ceremonia zyrtare e nënshkrimit do të zhvillohet të premten në Gjenevë.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se planifikon të marrë pjesë në ceremoni, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që edhe vetë Donald Trump të jetë i pranishëm, megjithëse për arsye sigurie ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.

Burime pranë administratës amerikane bëjnë me dije se Trump kishte kërkuar që marrëveshja të arrihej përpara nisjes së samitit të G7 në Francë, ku konflikti SHBA-Iran dhe ndikimi i tij në tregjet globale të energjisë pritet të jenë ndër temat kryesore të diskutimit.

Megjithëse detajet e plota nuk janë bërë ende publike, memorandumi pritet të shërbejë si bazë për një periudhë 60-ditore negociatash intensive, me objektiv përfundimin e luftës dhe arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë politike dhe të sigurisë.

Megjithatë, zyrtarë amerikanë dhe iranianë kanë dhënë deri tani mesazhe jo plotësisht të njëjta mbi përmbajtjen e dokumentit, duke lënë të kuptohet se disa pika mbeten ende objekt diskutimi.

Bllokada detare amerikane ishte vendosur në mesin e muajit prill, disa javë pas nisjes së konfliktit, si pjesë e përshkallëzimit të presionit ekonomik ndaj Teheranit.

Qëllimi i saj ishte ndalimi i anijeve të konsideruara “jo në përputhje” dhe kufizimi i të ardhurave të Iranit nga eksportet energjetike, ndërsa gjatë kësaj periudhe SHBA kishte dislokuar në rajon dy aeroplanmbajtëse dhe më shumë se një duzinë shkatërruesish detarë.

Megjithëse Trump ka autorizuar rihapjen e lirë të Ngushticës së Hormuzit, rikthimi i plotë i trafikut detar në nivelet para konfliktit pritet të kërkojë kohë, pasi Irani ka mbajtur kufizimet e veta dhe sipas autoriteteve amerikane në zonë janë vendosur edhe mina detare.

Nëse memorandumi nënshkruhet sipas planit të premten dhe angazhimet e palëve zbatohen, kjo do të përbëjë një nga kthesat më të rëndësishme diplomatike në marrëdhëniet SHBA-Iran dhe një zhvillim me ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin rajonal dhe tregjet globale të energjisë.

Advertisement