Connect with us

Bota

Miliarda, naftë dhe liri/ Oferta e madhe e Donald Trump për Iranin

Negociatat për programin bërthamor iranian ende nuk kanë filluar, por tashmë ka mosmarrëveshje lidhur me “karrotën” që SHBA po i ofron regjimit në Teheran për ta bindur të pezullojë pasurimin e uraniumit. Kjo përfshin premtime të paqarta për një fond rindërtimi me vlerë shumë miliardë dollarë.

Në draft-memorandumin që po negociohet mes Iranit dhe SHBA-së, të cilin agjencia Bloomberg e publikoi të mërkurën, thuhet se Shtetet e Bashkuara angazhohen që “së bashku me partnerët e tyre rajonalë”, të paraqesin një “plan gjithëpërfshirës” për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit dhe të sigurojnë financime me vlerë “të paktën 300 miliardë dollarë”.

Nga do të vijë ky financim nuk specifikohet. Thuhet vetëm se mekanizmi i zbatimit do të jetë pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare, për arritjen e së cilës ende nuk ka garanci.

Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance ka përmendur “koalicionin e vendeve të Gjirit” si investitor të mundshëm. Ai deklaroi për televizionin CBS se para amerikane nuk do të derdheshin në një fond të tillë.

Nuk është e qartë nëse tashmë janë zhvilluar bisedime konkrete me shtetet e Gjirit apo me kompani private dhe as kush do ta administronte fondin. Shuma prej 300 miliardë dollarësh mund të jetë bazuar në vlerësimet iraniane për dëmet e luftës, të cilat Teherani i llogarit në 270 miliardë dollarë.

Ndërsa fondi i premtuar dhe premtimet e paqarta për heqjen e sanksioneve synojnë ta nxisin Iranin të hyjë seriozisht në negociata për një marrëveshje të gjerë bërthamore, vendi ka përfituar tashmë një avantazh tjetër.

Që nga nënshkrimi i memorandumit gjatë natës së së hënës, Irani mund të eksportojë naftë pa u përballur me sanksione. Sipas draftit, SHBA do të japë përjashtime (waivers) për kompanitë e sigurimeve, bankat dhe ndërmarrjet e transportit që përfshihen në eksportin e naftës bruto dhe produkteve petrokimike iraniane.

Advertisement