Connect with us

Aktualitet

Nga votimi te monitorimi/ Si do ta ndjekë Brukseli çështjen e Vjosë-Nartës?

Miratimi i raportit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i cili përfshin edhe amendamentin për zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, ka hapur diskutime mbi atë se çfarë pasojash konkrete mund të sjellë ky votim për projektet e planifikuara në zonat e mbrojtura.

Amendamenti i miratuar nga eurodeputetët shpreh shqetësim serioz për zhvillimet në Vjosë-Nartë, kërkon një moratorium për lejet dhe ndërhyrjet e reja në zonat e mbrojtura dhe nënvizon se çdo projekt duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve të plota të ndikimit në mjedis sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, sipas burimeve të Albanian Post pranë Parlamentit Evropian, raporti dhe amendamentet e tij nuk prodhojnë automatikisht pasoja ligjore për autoritetet shqiptare.

“Rezolutat e Parlamentit Evropian në fushën e zgjerimit kanë karakter këshillimor. Parlamenti nuk ka kompetenca vendimmarrëse gjatë negociatave të anëtarësimit, pasi politika e zgjerimit mbetet në kompetencë të shteteve anëtare dhe institucioneve ekzekutive të Bashkimit Evropian”, shpjegoi një zyrtar i Parlamentit Evropian.

Megjithatë, votimi konsiderohet politikisht i rëndësishëm pasi reflekton qëndrimin e shumicës së eurodeputetëve dhe sinjalizon shqetësimet që ekzistojnë në Bruksel lidhur me zhvillimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri.

Sipas të njëjtit burim, çështja nuk mbyllet me votimin e raportit. Raportuesit dhe anëtarët e Parlamentit Evropian vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet në vendet kandidate, zhvillojnë vizita në terren dhe raportojnë rregullisht në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.

Në rast se shqetësimet vazhdojnë ose situata konsiderohet problematike, eurodeputetët mund të kërkojnë debate të posaçme, pyetje parlamentare ose raporte të tjera që rikthejnë çështjen në vëmendjen e institucioneve evropiane.

Komisioni Evropian pritet të luajë një rol të rëndësishëm në monitorimin e përputhshmërisë së projekteve me legjislacionin evropian për mjedisin gjatë procesit të negociatave.

Albanian Post iu drejtua KE-së me një kërkesë për koment lidhur me pasojat e votimit të amendamentit dhe mënyrën se si do të ndiqet zbatimi i rekomandimeve të Parlamentit Evropian, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk mori një përgjigje.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi më parë se qeveria shqiptare ka garantuar Brukselin se projekti në fjalë do t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane do të respektohen.

Në këtë kuadër, vëmendja e institucioneve evropiane pritet të përqendrohet te mënyra se si autoritetet shqiptare do të zbatojnë procedurat mjedisore dhe nëse projektet e planifikuara do të jenë në përputhje me legjislacionin evropian për mbrojtjen e natyrës.

Ndërsa qeveria shqiptare argumenton se votimi i raportit përbën një tjetër konfirmim të progresit të vendit drejt Bashkimit Evropian, kundërshtarët e projektit në Vjosë-Nartë e shohin amendamentin si një sinjal të qartë politik se çështja e zonave të mbrojtura do të vazhdojë të mbetet nën vëzhgimin e institucioneve evropiane.

Advertisement