Connect with us

Kronike

SPAK zbardh tonelatat e kokainës, dosja: Trafikantët shqiptarë Koçeku e Bedini lidhje të ngushta me kartelin e Luis Sebrano

Trafikantët shqiptarë të kokainës Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai alias Genc Bedini nuk vepronin të izoluar. Sipas dosjes hetimore që “MaShqip” ka siguruar, ata kishin krijuar lidhje të drejtpërdrejta me rrjete të fuqishme kriminale në Amerikën Latine dhe Europë, mes tyre edhe me organizatën e drejtuar nga Luis Sebrano, një emër i njohur për autoritetet ndërkombëtare të antidrogës dhe pronar i kompanisë “Maxi Grans”, e cila sipas hetimeve përdorej për transportin e ngarkesave nga Paraguaji drejt porteve europiane.

SPAK zbardh tonelatat e kokainës, dosja: Trafikantët shqiptarë

Referuar dokumenteve të SPAK, një pjesë e konsiderueshme e kokainës që nisej nga Paraguaji drejt Europës transportohej përmes kompanive tregtare që merreshin me sojë, qymyr, mish dhe mallra të tjera, ku lënda narkotike fshihej në konteinerë. Hetuesit dyshojnë se grupi i Koçekut dhe Hamzait përdorte të njëjtën mënyrë veprimi me rrjetin e Luis Sebranos, i arrestuar më vonë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Dosja tregon se komunikimet e SKY ECC kanë zbuluar jo vetëm bashkëpunimin mes palëve, por edhe humbjet e mëdha që organizata pësoi nga operacionet e autoriteteve ndërkombëtare.

Në bisedat e përgjuara, Luçiano Koçeku shprehet se grupit i janë sekuestruar qindra kilogramë dhe tonelata kokainë në periudha të ndryshme, duke përmendur ngarkesa prej 600 kilogramësh, 1.2 tonësh dhe dy ngarkesa të tjera prej rreth një toni secila, të cilat sipas hetuesve lidhen me trafikun e organizuar nga Amerika Latine drejt Europës.

SPAK zbardh tonelatat e kokainës, dosja: Trafikantët shqiptarë

Trafikanti shqiptar Luçiano Koçeku

Sipas SPAK, këto nuk kanë qenë goditje të izoluara. Më 29 maj 2020, autoritetet britanike sekuestruan 162 kilogramë kokainë në Birmingham, ngarkesë që lidhet me rrjetin kriminal të Koçekut. Hetuesit dyshojnë se vetëm gjatë periudhës nga 2 maji deri më 29 maj 2020, organizata kishte arritur të trafikonte rreth 882.5 kilogramë kokainë drejt Britanisë së Madhe.

Një tjetër goditje e rëndë për rrjetin erdhi më 28 tetor 2020, kur në Portin e Roterdamit u sekuestruan 1.435 kilogramë kokainë. Sipas dosjes që disponon “MaShqip”, kjo ngarkesë i atribuohet rrjetit të Alfredo Hamzait, i cili sipas hetuesve kishte rol kyç në sigurimin e furnizimeve nga Amerika Latine dhe koordinimin e transporteve drejt Europës.

SPAK zbardh tonelatat e kokainës, dosja: Trafikantët shqiptarë

Po ashtu, hetimet kanë dokumentuar edhe episode të tjera të trafikut ndërkombëtar. Në janar 2020, në Barcelonë u sekuestruan 441 kilogramë kokainë dhe u arrestua Indrit Kulaj, një nga personat që SPAK e lidh me organizatën. Në komunikimet e SKY ECC, kjo ngarkesë rezulton të jetë diskutuar nga anëtarët e grupit, duke forcuar dyshimet për përfshirjen e tyre.

Dosja përshkruan një organizatë kriminale me role të ndara qartë. Luçiano Koçeku paraqitet si organizatori dhe menaxheri i tregjeve europiane, personi që koordinonte shpërndarjen e kokainës në Belgjikë, Holandë, Britani të Madhe, Irlandë dhe Itali, si dhe transferimin e miliona eurove dhe pagesave në kriptomonedha. Alfredo Hamzai konsiderohet si një nga hallkat kryesore të lidhjes me furnizuesit dhe laboratorët në Amerikën Latine, ndërsa anëtarët e tjerë të grupit merreshin me logjistikën, magazinimin, transportin dhe shpërndarjen.

SPAK zbardh tonelatat e kokainës, dosja: Trafikantët shqiptarë

Sipas SPAK, organizata nuk merrej vetëm me trafik droge. Fitimet e gjeneruara nga kokaina dyshohet se investoheshin në Shqipëri, kryesisht në sektorin e ndërtimit, komplekse banimi, vila turistike dhe pasuri të paluajtshme. Hetuesit po verifikojnë nëse miliona euro të krijuara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë ricikluar përmes kompanive dhe projekteve ndërtimore që figuronin në emër të personave të tjerë, por që sipas komunikimeve të SKY ECC kontrolloheshin nga drejtuesit e organizatës.

SPAK zbardh tonelatat e kokainës, dosja: Trafikantët shqiptarë

Për SPAK-un, bëhet fjalë për një rrjet kriminal që kishte krijuar ura të forta mes karteleve të Amerikës Latine, porteve kryesore të Europës dhe investimeve në Shqipëri, duke kontrolluar çdo hallkë të zinxhirit, nga furnizimi me kokainë deri te pastrimi i fitimeve të saj.

Advertisement