Aktualitet
Delfinët “pushtojnë” Gjirin e Vlorës, spektakël i rrallë për turistët në udhëtimin drejt Sazanit
Delfinët në Gjirin e Vlorës shpeshherë shoqërojnë mjetet lundruese me turistë.
Tufat e delfinëve dhurojnë spektakël në Gjirin e Vlorës për turistët që udhëtojnë me gomone turistike drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.
Delfinët u shfaqën pranë mjeteve lundruese, duke notuar përpara gomoneve dhe duke luajtur mes dallgëve. Me kërcimet dhe lëvizjet e tyre, ata krijuan një shfaqje, e cila u filmua dhe u fotografua në moment.
Pamje të tilla janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në ujërat e Gjirit të Vlorës, sidomos në ditët kur deti është i qetë dhe kushtet atmosferike janë të favorshme. Delfinët vazhdojnë të jenë një nga bukuritë më të veçanta të bregdetit të Vlorës, duke i shtuar edhe më shumë kënaqësinë udhëtimeve drejt Sazanit dhe Karaburunit dhe duke u dhuruar vizitorëve kujtime të bukura.