Connect with us

Kronike

Tritoli në banesën e Ylli Zallës, dyshime për inskenim/ policia heton skenarin e “kërcënimit” për azil

Detaje të reja po dalin në lidhje me shpërthimin me lëndë plasëse në banesën e të shumëkërkuarit Ylli Zalla, në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që ngjarja të jetë inskenuar.

Dyshimet e policisë janë ngritur për shkak të disa rrethanave të ngjarjes. Shpërthimi dyshohet se ka ndodhur gjatë orëve të vona të së shtunës, ndërsa kallëzimi në polici është bërë vetëm mëngjesin e së dielës. Denoncimin e ka bërë gruaja e Ylli Zallës, e cila jeton prej kohësh në Itali.

Një tjetër element që po verifikohet nga grupi hetimor është mungesa e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi shpërthimi, duke bërë që momenti i vendosjes së lëndës plasëse të mos jetë dokumentuar.

Burime nga policia bëjnë me dije se një nga pistat e hetimit është edhe mundësia që lënda plasëse të jetë vendosur nga vetë Ylli Zalla. Kjo pistë është ngritur edhe pas pretendimit të bashkëshortes së tij se, përveç lëndës plasëse, në banesë ishte gjetur edhe një letër kërcënuese. Më pas, ky pretendim dyshohet se është tërhequr, çka ka shtuar pikëpyetjet e hetuesve.

Në fokus të hetimit është edhe mundësia që Zalla të jetë larguar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria dhe që shpërthimi të jetë përdorur si pjesë e një skenari për të krijuar pretendimin se ai ndodhet nën kërcënim dhe për të kërkuar azil jashtë vendit.

Megjithatë, këto mbeten pista hetimore dhe nuk ka ende një konkluzion zyrtar se ngjarja është inskenuar. Grupi hetimor po vijon mbledhjen e provave dhe verifikimin e të gjitha rrethanave për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një sulm të vërtetë apo për një skenar të organizuar.

Advertisement