Kronike
‘Dëgjova tre të shtëna dhe pastaj…’/ Vrasja e çiftit shqiptar në Greqi
Detaje të reja janë zbardhur nga krimi me dy viktima të dyshuar shqiptarë në hyrje të një pallati në Nea Smyrni të Athinës mëngjesin e sotëm.
Sipas informacioneve të fundit, burri dyshohet se kishte pritur 45-vjeçaren shqiptare jashtë ndërtesës, në rrugën Grigoriou Kydonia, duke pritur që ajo të dilte. Më pas, ai e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur, dhe më pas kreu vetëvrasje.
Vajza e 45-vjeçares jeton në këtë pallat, një fakt që po shqyrtohet nga policia në përpjekje për të rindërtuar lëvizjet e gruas para ngjarjes.
Nga informacionet paraprake, rezulton se burri dhe gruaja nuk ishin të martuar. Policia po heton marrëdhënien mes tyre dhe motivet që mund të kenë çuar në krim.
45-vjeçarja kishte marrë plagë nga të shtënat me armë zjarri në trup dhe, sipas informacioneve, edhe në fytyrë, ndërsa burri u gjet me një plagë në kokë. Pistoleta u gjet pranë trupit të tij, duke përforcuar dyshimet se pasi vrau gruan, ai qëlloi veten.
Një banore e zonës tha se kishte dëgjuar të shtënat rreth orës 05:30 të mëngjesit.
“Dëgjova tre të shtëna me armë zjarri në orën 5:30 të mëngjesit”, tha ajo, duke shtuar se nuk kishte dëgjuar automjete apo vënë re ndonjë lëvizje tjetër të dyshimtë.
Hetimi po kryhet nga departamenti kompetent i Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar. Policia po vijon këqyrjen e zonës, mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.