Connect with us

Aktualitet

Telefonia u shtrenjtua, paketat e lira u pakësuan/ Autoriteti ndërhyn te Vodafone dhe ONE

Çmimet janë rritur, paketat e lira janë pakësuar dhe konsumatorët kanë pasur më pak mundësi zgjedhjeje.

Ky është përfundimi që del nga hetimi i thelluar i Autoritetit të Konkurrencës për tregun e telefonisë celulare, ku janë shqyrtuar Vodafone Albania dhe One Albania.

Sipas Autoritetit, gjatë periudhës së hetuar janë konstatuar rritje graduale dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri e madhe mes paketave dhe reduktim i ofertave me çmime të ulëta. Institucioni evidenton gjithashtu mangësi në dokumentimin e kostove që kanë justifikuar ndryshimet e tarifave.

Për konsumatorin shqiptar, problemi është shumë i thjeshtë: sa më pak oferta të lira të ketë në treg, aq më e vogël bëhet mundësia për të zgjedhur sipas xhepit.

Pas hetimit, Autoriteti ka vendosur një seri detyrimesh për të dy operatorët.

Paketa më e lirë duhet të gjendet edhe në dyqanet fizike dhe jo vetëm në aplikacione. Pas përfundimit të kontratës, abonenti duhet të ketë mundësi të kalojë në një paketë më të lirë pa pengesa të pajustifikuara. Ndërsa çdo ndryshim çmimi duhet t’i komunikohet klientit qartë, të paktën 30 ditë përpara.

Një tjetër masë prek pensionistët dhe të rinjtë: brenda 90 ditëve, Vodafone dhe One duhet të ofrojnë paketa më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç.

Autoriteti kërkon gjithashtu që çdo rritje çmimi të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove.

Vendimi nr. 1307 është marrë më 24 korrik 2026, ndërsa zbatimi i detyrimeve do të monitorohet për një vit. Në rast moszbatimi, operatorët mund të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.

Çështja tani është ajo që intereson çdo abonent:

A do të sjellin këto masa më shumë oferta të lira dhe më shumë zgjedhje reale për qytetarin?

 

Advertisement