Aktualitet
Hije dyshimi mbi milionat publikë/ KLSH: Punime të paguara, por të pakryera
Hije dyshimi mbi mënyrën se si janë shpenzuar milionat e qytetarëve. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar raste ku para publike janë likuiduar për punime që rezultojnë të pakryera, ndërsa dëmi ekonomik i konstatuar nga auditimet arrin në 84.3 milionë lekë.
Pjesa dërrmuese e këtij dëmi lidhet pikërisht me prokurimet dhe kontratat publike.
Sipas KLSH-së, rreth 81.4 milionë lekë, ose afro 97% e dëmit ekonomik, lidhen me prokurimet, kontratat dhe zbatimin e punimeve.
Dhe këtu lind pyetja:
KUSH FIRMOSI PËR PUNËT QË NUK U BËNË?
Sepse një kompani nuk paguhet thjesht duke deklaruar se e ka realizuar punën.
Punimet maten.
Kontrollohen.
Situacionet firmosen.
Mbikëqyrësi i certifikon.
Dhe më pas institucioni autorizon pagesën.
Nëse auditimi konstaton punime të pakryera por të likuiduara, atëherë përgjegjësia duhet kërkuar në të gjithë këtë zinxhir.
Një prej rasteve konkrete lidhet me rikonstruksionin e një rruge në Tragjas, ku KLSH ka evidentuar rreth 15 milionë lekë dëm ekonomik.
Por problemi nuk mbaron me një rrugë.
Auditimet evidentojnë gjithashtu punime që nuk përputhen me specifikimet teknike dhe problematika në zbatimin e kontratave publike.
Prandaj dosjet duhet të hapen njëra pas tjetrës.
Për çdo kontratë duhet të bëhet publike sa ishte tenderi, kush e fitoi, çfarë parashikonte preventivi, sa u pagua, çfarë u certifikua dhe çfarë ekziston realisht në terren.
Sepse “punim i pakryer” nuk është vetëm një term auditimi.
Nëse shteti ka paguar për diçka që nuk është realizuar, janë paratë e qytetarëve që mungojnë.
KLSH e ka vendosur shifrën në tavolinë:
84.3 MILIONË LEKË DËM EKONOMIK.
Tani duhen emrat, kontratat dhe firmat.
KUSH I MORI PARATË DHE KUSH FIRMOSI SE PUNA ISHTE BËRË?