Aktualitet
Ergys Agasi nga qelia bën divorc me Vlora Hysenin/ Analisti: I janë hapur portat e ferrit
Analisti Gert Shella komentoi masën e arrestit në shtëpi ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, duke e cilësuar situatën si një përplasje mes saj dhe Ergys Agasit.
Sipas Shellës, përfshirja e emrit të Agasit dhe e SHISH në këtë çështje është veçanërisht serioze. Ai tha se zhvillimet përbëjnë një rast që do të vijojë të komentohet gjatë në historinë e institucioneve shqiptare.
“Këtu kemi një përplasje më shumë se sa një divorc. Kemi një përplasje mes dy aktorëve kryesore, Ergys Agasit që ka reaguar përmes avokatit të vet dhe Vlora Hysenit. Kemi një sherr në familje. Për Ergys Agasin, që nuk implikon më një grup të strukturuar kriminal, të implikohet edhe shërbimi informativ SHISH me emrin e tij, i janë hapur portat e ferrit.
Askush në paraburgim, nuk do të donte që të kishte një rast si Ergys Agasi. Implikimi i tij është shumë serioz, edhe i Vlora Hyseni është po aq serioz. Ka hyrë në librat e shtetit shqiptar që do të komentohet gjatë. Shteti shqiptar është i gatshëm që të bëjë këtë kompromis për të ruajtur institucionet e veta”, tha Shella.
Ergys Agasi ka reaguar përmes avokatit të tij, Maksim Haxhia, lidhur me të dhënat dhe pretendimet e bëra publike në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Agasi ka mohuar pretendimet që lidhen me takimet me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, si dhe me dokumentet që dyshohet se janë gjetur në automjetin e tij.
Sipas Agasit, Vlora Hyseni nuk ka qenë asnjëherë në zyrën e tij. Ai ka deklaruar se e ka takuar ish drejtuesen e SHISH, por jo në kuptimin që të kenë takime të vazhdueshme.
Ndër të tjera, Agasi ka thënë se nuk është aset i Shërbimit Informativ Shtetëror, duke mohuar deklaratën e bërë nga Vlora Hyseni, teksa ishte marrë në pyetje nga SPAK, para se t’i vendosej masa e arrestit shtëpiak.
Agasi u arrestua në 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës nga Forcat Operacionale të Policisë, teksa ishte duke lëvizur me automjet.
Ai është nën hetim që prej vitit 2025, e ndaj tij rëndojnë dyshime për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grup i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Ndërkaq, Vlora Hyseni, e cila drejtoi SHISH-in prej prillit të vitit 2023, është vënë nën hetim për dy vepra penale: “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Sipas hetimeve të SPAK-ut, dyshimet lidhen me vendosjen në dispozicion të materialeve të klasifikuara dhe komunikimet e saj me biznesmenin Ergys Agasi, i cili është gjithashtu pjesë e të njëjtit hetim