✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Treni i fundit për Shqipërinë/ Ekstremistët në Francë e Gjermani, do mbyllin kufijtë e zgjerimit të BE-së

A mund të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian pa të drejtën e vetos rruga që do ta çojë Shqipërinë drejt Brukselit?

Juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu hedh këtë tezë, duke argumentuar se ndryshimet politike në Evropë dhe forcimi i forcave nacionaliste mund ta vështirësojnë ndjeshëm zgjerimin e Bashkimit Evropian në vitet e ardhshme.

Spahiu deklaroi se Shqipëria dhe vendet e tjera kandidate duhet të përfitojnë nga një model i përshpejtuar anëtarësimi, ku vendet e reja anëtare nuk do të kishin të njëjtat të drejta vetoje si anëtarët aktualë.

Sipas tij, kjo do të ishte një mënyrë për të shmangur bllokimet e mundshme politike dhe për të përshpejtuar procesin e zgjerimit.

Spahiu e lidh këtë argument edhe me zhvillimet politike në disa prej vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Ai paralajmëron se forcimi i partive nacionaliste dhe euroskeptike në Francë dhe Gjermani mund ta ndryshojë agjendën e zgjerimit.

“Ardhja e nacionalistëve në Francë është çështje kohe dhe ekstremistët kanë fituar shumë terren në Gjermani”, deklaroi Spahiu, duke shtuar se, sipas tij, nëse këto forca marrin pushtetin, zgjerimi i BE-së mund të mos mbetet më një prioritet i Unionit.

Në këtë skenar, sipas Spahiut, Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet e tjera kandidate kanë nevojë për përshpejtim të procedurave të anëtarësimit.

Por pengesa, sipas tij, lidhet me vetë mekanizmin e vendimmarrjes së Bashkimit Evropian.

Spahiu argumenton se disa prej vendeve që janë anëtarësuar më vonë në BE, përfshirë Kroacinë, vazhdojnë të mbështesin ruajtjen e mekanizmit të vetos dhe nuk favorizojnë një sistem ku vendimet për çështje të caktuara të merren me shumicë të cilësuar.

Në këtë kontekst, ai e cilëson Shqipërinë si një vend që duhet të shfrytëzojë atë që e quan “tren i fundit” për integrimin evropian.

Një pjesë e deklaratës së tij lidhet edhe me idenë e anëtarësimit pa veto, të artikuluar publikisht nga Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç. Spahiu ngre pyetjen nëse kjo ide ka ardhur realisht nga dy liderët ballkanikë apo nëse është pjesë e një diskutimi më të gjerë evropian.

“Ideja e Ramës dhe Vuçiçit për anëtarësim pa veto mund të mos ketë qenë ide e tyre. Dikush ua ka dhënë”, tha Spahiu.

Kështu, sipas kësaj teze, beteja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nuk lidhet vetëm me përmbushjen e reformave dhe standardeve të kërkuara nga Brukseli, por edhe me vetë reformimin e mënyrës se si funksionon Bashkimi Evropian dhe si merren vendimet për zgjerimin.

Për Shqipërinë, pyetja që ngrihet është nëse procesi do të përshpejtohet përpara se ndryshimet politike në Evropë të ndikojnë në agjendën e zgjerimit.

Advertisement