Kosova
Goditet call center-i mashtrues në Tiranë, 4 në pranga/ Mashtronin qytetarë të BE-së përmes platformave online
Një tjetër rast i dyshuar mashtrimi përmes platformave online është goditur nga Policia e Tiranës. Operacioni i koduar “INVESTING” u zhvillua në një ambient në Rrugën e Kavajës, i përshtatur me poste pune, ku dyshohet se ushtrohej aktiviteti i paligjshëm.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka kapur në flagrancë katër persona, të cilët dyshohet se mashtronin qytetarë të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian për t’u marrë para përmes platformave online.
Në pranga kanë rënë Emirjon Xhafa, 40 vjeç, Genci Ndoni, 42 vjeç, Ekzon Dervishi, 32 vjeç dhe Eroll Hyslihaka, 31 vjeç.
Ndërkohë, Taulant Beleraj, 45 vjeç, pronari i ambientit ku zhvillohej aktiviteti, është shpallur në kërkim. Sipas policisë, ai dyshohet se e administronte ambientin në bashkëpunim me personat e arrestuar, me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Në kuadër të operacionit është proceduar në gjendje të lirë edhe një 23-vjeçare, e cila dyshohet se ishte e përfshirë në aktivitetin e call center-it.
Gjatë kontrolleve, uniformat blu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 njësi kompjuterike, 19 telefona celularë, 7 laptopë, si dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me veprimtarinë e paligjshme.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me strukturat e Krimeve Kibernetike dhe Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.