Politike
Ndryshon Kodi i Procedurës Penale/ Këshilli i Evropës: Më shumë garanci për të dyshuarit
Në kuadër të reformës në drejtësi, është prezantuar projektndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, me synim përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane dhe forcimin e të drejtave të personave të dyshuar dhe të akuzuar.
Në prezantimin e draftit ishte i pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Gianluca Esposito, i cili e cilësoi hartimin dhe përmirësimin e Kodit të Procedurës Penale një prej proceseve më të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë në një vend.
Esposito theksoi se Kodi i Procedurës Penale nuk përcakton vetëm rregulla teknike, por edhe mënyrën se si shteti zhvillon hetimet, mbledh provat, kryen marrjen në pyetje dhe vendos kufizime ndaj lirisë së individit.
Sipas tij, kuadri ligjor duhet të garantojë njëkohësisht efektivitetin në luftën kundër krimit, mbrojtjen e viktimave dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Ai nënvizoi se parimet e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut duhet të përkthehen në rregulla konkrete, përfshirë kufizime kohore, përgjegjësi dhe standarde të qarta procedurale.
Esposito bëri të ditur se Këshilli i Evropës ka ofruar mbështetje për procesin e hartimit të ndryshimeve, me qëllim përafrimin e draftit me standardet evropiane të mbrojtjes së të drejtave.
Duke iu referuar përmbajtjes së projektndryshimeve, ai tha se Kodi i ri synon të vendosë në ekuilibër paketën e reformave në drejtësi dhe të forcojë të drejtat e personave të dyshuar, të akuzuarve dhe të mbrojtjes.
Sipas Espositos, ky proces është pjesë e angazhimit të autoriteteve shqiptare për vijimin e reformave dhe përafrimin e sistemit të drejtësisë me direktivat e Bashkimit Evropian dhe standardet evropiane