✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

250 MLN EURO PËR BIZNESET/ Mbi 1700 sipërmarrje interesohen për programin e financimit

Mbi 1 mijë e 700 biznese kanë shprehur interes për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, që synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për zgjerimin e aktivitetit, blerjen e pajisjeve dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu prezantoi ecurinë e programit, për të cilin është vënë në dispozicion një linjë financimi prej 250 milionë eurosh, me mundësi zgjerimi deri në 1 miliard euro. Sipas kushteve të programit, sipërmarrjet mund të përfitojnë financim deri në 2 milionë euro, me normë interesi preferenciale 2 deri në 3 për qind dhe mbulim nga Garancia Sovrane deri në 70 për qind, në varësi të aplikimit dhe vlerësimit të bankave.

Sipas të dhënave të bëra publike, rreth 800 biznese janë aktualisht në proces trajtimi. Vetëm në dhjetë ditët e para pas lançimit të platformës, përmes portalit e-Albania janë regjistruar 241 aplikime. Prej tyre, 222 raste po shqyrtohen nga bankat e nivelit të dytë, ndërsa 20 biznese kanë marrë miratimin për financim me kredi.

Koçiu tha se programi synon t’u japë mundësi bizneseve që kanë plane për zgjerim, por hasin vështirësi në sigurimin e financimit. Sipas saj, investimet e realizuara përmes këtij mekanizmi mund të ndikojnë në rritjen e kapaciteteve të bizneseve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Programi parashikon që financimi të përdoret për investime në aktivitetet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërsa miratimi i kredive bëhet pas shqyrtimit të aplikimeve dhe vlerësimit nga bankat pjesëmarrëse.

Advertisement