✦
Thinking ...
Connect with us

Pinknews

VIDEOT INTIME NË RRJET/ Ori Nebijaj: Skandali është cenimi i privatësisë

Moderatorja dhe deputetja Ori Nebijaj ka reaguar pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjetet sociale të videove me përmbajtje intime, duke e zhvendosur vëmendjen nga jeta private e personave të përfshirë te cenimi i privatësisë dhe shpërndarja e materialeve pa pëlqim.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Nebijaj ka kritikuar edhe interesin e lartë të publikut për të kërkuar, parë dhe shpërndarë materiale të tilla. Sipas saj, problematika kryesore qëndron te fakti që pamjet intime bëhen publike pa autorizimin e personave që shfaqen në to.

Nebijaj ka kërkuar gjithashtu që personat që provohet se kanë filmuar apo shpërndarë materiale intime pa pëlqim të përballen me përgjegjësi penale, duke e cilësuar mbrojtjen e privatësisë si çështjen kryesore në këtë rast.

Reagimi vjen në një kohë kur shpërndarja e materialeve private në platformat online ka rikthyer diskutimin mbi përgjegjësinë e autorëve të publikimit, por edhe mbi rolin e përdoruesve që i kërkojnë dhe i shpërndajnë këto materiale.

Postimi i plotë i Ori Nebijajt:

NGA SKANDALI NE SPEKTAKEL

Që ne jemi një popull i frustruar seksualisht, kjo s’ka diskutim! Sa herë del një «skandal» me video intime, etja për t’i parë na zjen gjakun. Në fakt, skandali nuk është jeta intime e njerëzve. Skandali është thyerja e privatësisë së tyre dhe mënyra si ne i presim, i kërkojmë e i shpërndajmë ato pamje. Neveritëse.

Gra që mund të jenë filmuar në intimitet pa dëshirën e tyre. Burra ordinerë, fekale të shoqërisë, që realizojnë skenarë të tillë. Duhet të ketë përgjegjësi të qartë penale për këdo që provohet se filmon intimitetin e dikujt pa pëlqimin e tij dhe për këdo që i shpërndan ato pamje pa pëlqim. Ky është abuzim, jo argëtim.

Qejf i madh, histeri nëpër telefona, ndërsa videot kalojnë nga njëri te tjetri. Akoma na bën çudi që njerëzit kanë jetë intime.

Dalin çështje që ngrenë pyetje për abuzimin me pushtetin, shtetin dhe taksat tona, e megjithatë vëmendjen e harxhojmë te historitë rozë: me kë shkonte, kë kishte dashnore.

Dhe, si gjithmonë, fatura e turpit i shkon gruas së pari. Burri mund të jetë pjesë e së njëjtës histori, por ajo bëhet titulli, objekti i gjykimit dhe shënjestra e komenteve. Ky është morali ynë me dy standarde: kur duhet të kërkojmë llogari, bëhemi spektatorë; kur duhet të respektojmë privatësinë, bëhemi prokurorë.

Po e mbyll duke përmendur një emër,

ADRIAN HILA.

Çfarë perversiteti ordiner. Burg për këdo i ka shpërndarë videot, si dorë e parë e e si dorë e dytë.

Advertisement