Politike
Ministri izraelit falenderon Ramën për angazhimin e tij për Izraelin: Një nga liderët më të shquar në botë
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, është takuar në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, me të cilin diskutoi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe në Ballkanin Perëndimor.
Në një reagim në rrjetin social X, Sa’ar vlerësoi rolin e Ramës në politikën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e tij me Izraelin. Ai e cilësoi kryeministrin shqiptar si një lider të shquar dhe etik, duke theksuar se Shqipëria i ka qëndruar pranë Izraelit edhe në periudha të vështira.
Kryediplomati izraelit nënvizoi gjithashtu se vendi i tij vlerëson angazhimin e Ramës për sigurinë e Izraelit dhe qëndrimin e tij kundër antisemitizmit dhe terrorizmit.
“Pata kënaqësinë të takohem sot në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Rama e ka udhëhequr Shqipërinë për 13 vjet rresht dhe, sipas mendimit tim, është një nga udhëheqësit më të shquar dhe më etikë në botë sot”, shkroi Sa’ar.
Ai shtoi se biseda u përqendrua në mundësitë për të avancuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, si dhe në situatën në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Në përfundim të reagimit, Sa’ar falënderoi Ramën për miqësinë dhe mbështetjen e Shqipërisë ndaj Izraelit.
“Pata kënaqësinë të takohem sot në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama @ediramaal . Rama e ka udhëhequr Shqipërinë për 13 vjet rresht dhe, sipas mendimit tim, është një nga udhëheqësit më të shquar dhe më etikë në botë sot. Rama është një zë i qartë dhe i guximshëm në skenën ndërkombëtare. Ai është gjithashtu një mik i shquar i Izraelit, i cili na ka qëndruar pranë edhe në kohë sfiduese.
Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e tij për sigurinë e Izraelit dhe qëndrimin e tij të vendosur kundër antisemitizmit dhe terrorizmit. Ishte një bisedë e thellë rreth avancimit të marrëdhënieve midis vendeve, si dhe situatës në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor. Faleminderit, Edi, për miqësinë tuaj të guximshme dhe miqësinë e thellë të Shqipërisë me Izraelin”, shkruan ai.