Bota
Palmer: SHBA shpreson që BE të hapë Konferencën Ndërqeveritare për Shqipërinë
Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Konferenca Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së të organizohet para fundit të presidencës gjermane të Bashkimit Evropian. Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer i tha Zërit të Amerikës se megjithëse mbetet ende punë për të bërë për reformat, Shqipëria e ka justifikuar atë që ai e quajti “hapin e ardhshëm logjik”. I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor tha gjithashtu se qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit ka pasur vazhdimësi, pavarësisht nëse administrata ka qenë demokrate apo republikane dhe ai pret të njëjtën gjë me ardhjen e Presidentit të ri Joe Biden. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Palmer tha se Uashingtoni vazhdon të mbetet i angazhuar për normalizimin mes Prishtinës dhe Beogradit:
Zëri i Amerikës: Zoti Palmer duket se fillimi i negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, do të shtyhet përsëri. Cila mendoni se është arsyeja që BE-ja nuk është gati për fillimin e tyre?
Matthew Palmer: Nuk dua të flas për Bashkimin Evropian. Do të flas për Shtetet e Bashkuara. Në emër të Shteteve të Bashkuara mund të përforcoj dhe rikonfirmoj mbështetjen tonë të fortë për perspektivën, rrugën dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ne ishim shumë të kënaqur kur Këshilli Evropian ra dakord marsin e kaluar për të hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë. Tani duam të shohim hapin e ardhshëm logjik, përcaktimin dhe organizimin e Konferencës Ndërqeveritare, si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Ne vazhdojmë të shpresojmë që Këshilli Evropian javën që vjen të bjerë dakord që të ndërmarrë këtë hap tjetër logjik.
Zëri i Amerikës: Ka vende në Bashkimin Evropian që kanë dyshime serioze nëse Shqipëria është gati. Duke pasur parasysh situatën me Gjykatën Kushtetuese, nuk mendoni që ato janë të justifikuara të jenë më të tërhequra dhe jo të gatshme t’i hapin këto negociata?
Matthew Palmer: Mendoj se Shqipëria ka bërë shumë. Nëse sheh çështjen e reformës zgjedhore, reformat për të cilat ishte rënë dakord, të kthyera në legjislacion në përputhje me rregullat e ODIHR-it, mjaft kohë përpara zgjedhjeve të prillit. Ishte një hap përpara dhe një fitore për demokracinë e Shqipërisë. A ka akoma për të bërë? Sigurisht. Pa dyshim në fushat e shtetit ligjor dhe reformës juridike, do të donim të shihnim që Shqipëria të bëjë më shumë. Do të donim që Gjykata Kushtetuese të formohet dhe të gjykojë çështje, do të donim të shihnim një pakësim të çështjeve të prapambetura, rreth 35 mijë prej tyre që presin të gjykohen nga Gjykata e Lartë. Do të donim të shihnim që Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK-u të funksiononin me kapacitet të plotë dhe përparim në këtë drejtim. Kjo është një përpjekje afatgjatë. Kështuqë është bërë shumë punë, ka ende shumë për të bërë, por pikëpamja jonë është se Shqipëria ka shënuar përparim të mjaftueshëm për të justifikuar hapin e mëtejshëm, Konferencën Ndërqeveritare. Do të donim që një gjë e tillë të bëhej para fundit të presidencës gjermane.
Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara ishin forca kryesore nxitëse e reformës në drejtësi. A do ta përdornin Shtetet e Bashkuara përvojën nga kjo reformë në vende të tjera, apo duke e parë tani mendoni se disa gjëra duhet të ishin bërë ndryshe, duke pasur parasysh për shembull vakuumin e krijuar me Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartën në vend?
Matthew Palmer: Ne sigurisht i kishim propozuar me forcë përpjekjet për reformat, por forca kryesore lëvizëse nuk kanë qenë Shtetet e Bashkuara, kanë qenë udhëheqësit politikë të Shqipërisë. Ishin udhëheqësit politikë të cilëve iu desh të merrnin përgjegjësinë, ta çonin këtë proces përpara, të merrnin vendime të vështira, të bënin kompromiset e nevojshme.
Ata e kanë bërë këtë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, mbështetjen e fortë të udhëheqësve të SHBA-së, dhe një numri ambasadorësh amerikanë në Tiranë. Por merita në të vërtetë i takon udhëheqjes në Shqipëri që ka qenë ajo që ka drejtuar këtë proces.
Zëri i Amerikës: Nga çka është arritur, a shihni ndonjë mangësi në zbatimin e këtyre reformave? Çfarë mund të ishte bërë më mirë?
Matthew Palmer: Sigurisht që ka shumë për të bërë. Ne u zhgënjyem kur opozita dogji mandatet dhe doli nga parlamenti. Mendoj se kjo ishte e dëmshme për demokracinë shqiptare. Është inkurajuese që opozita është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e prillit, të rimarrë rolin e saj, të marrë pjesë jo vetëm në procesin demokratik, por në institucionet që do të formohen përmes këtij procesi. Dhe në gjithë këtë proces, do të shpresoja që edhe udhëheqja në Tiranë, edhe publiku shqiptar t’i shikojnë Shtetet e Bashkuara si miq, si partnerë, si aleatë, si mbështetës të reformës demokratike, reformës në drejtësi dhe një të ardhmeje evropiane.
Zëri i Amerikës: Politika është polarizuar dhe retorika është ashërsuar në prag të të fushatës për zgjedhjet e pranverës. A jeni i shqetësuar se ky lloj polarizimi dhe mënyra se si partitë kryesore palët bashkëveprojnë me njëra-tjetrën mund të shkaktojë një tjetër shtyrje të Konferencës Ndërqeveritare? Pra sa i rëndësihëm është qendrimi i forcave politike në vend?
Matthew Palmer: Mendoj se padyshim vendet anëtare të Bashkimit Evropian qeveritë e vendeve anëtare do të ndjekin me shumë kujdes se çfarë ndodh në Shqipëri gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Dhe siç e thashë ne shpresojmë që Konferenca Ndërqeveritare të hapet para fundit të vitit 2020. Por edhe për më tej, ajo që duhet, ajo që pritet është që qeveria shqiptare të vazhdojë të demonstrojë një angazhim ndaj përpjekjes së reformës, dhe përparim të dukshëm, konkret dhe të prekshëm drejt atyre reformave, përfshirë veçanërisht përsa i takon sundimit të ligjit.
Zëri i Amerikës: Me administratën e re të ardhshme në Shtetet e Bashkuara, çfarë ndryshimesh parashikoni si i dërguari për Ballkanin Perëndimor?
Matthew Palmer: Nuk dua të bëj parashikime lidhur me atë që do të bëjë administrata e ardhshme, por mund të them se kam punuar me Ballkanin Perëndimor për 27 vjet, në administrata demokrate dhe administrata republikane dhe politika, qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit ka qenë e qëndrueshme nga administrata në administratë, sepse interesat tona kanë pasur vazhdimësi nga administrata në administratë. Vizioni ynë për Ballkanin Perëndimor është që të shohim vendet e tij në paqe brenda tyre, në paqe me me fqinjët e tyre, me stabilitet, mirëqenie dhe të integruar në institucionet evropiane dhe Euro-Atlantike, në veçanti NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Kjo nuk do të ndryshojë. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Ballkanin Perëndimor dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për perspektivën e tyre evropiane.
Zëri i Amerikës: Më konkretisht, duket sikur bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur dhe Kosova gjithmonë ka shpresuar në angazhimin aktiv të Shteteve të Bashkuara. Çfarë parashikoni të ndodhë në muajt e ardhshëm? A do të ketë një angazhim më të madh ose një shtytje më të madhe për këto bisedime?
Matthew Palmer: Përsëri nuk dua të parashikoj të ardhmen, por ju them se Shtetet e Bashkuara kanë qenë vazhdimisht të angazhuara në mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Ne e bëjmë këtë vazhdimisht, në nivele të ndryshme, përfshirë në shtator këtu në Uashington në nivelin më të lartë të qeverisë amerikane. Ky angazhim ndaj partneritetit me Serbinë, partneritetit me Kosovën dhe perspektivës evropiane të të dy vendeve, nuk do të ndryshojë. Dhe ne do të punojmë me Beogradin dhe Prishtinën për të mbështetur normalizimin e marrëdhënies së tyre dhe integerimit respektiv evropiane për secilin prej vendeve.
Zëri i Amerikës: A do të duket pak më ndryshe (ky angazhim) duke marrë parasysh që Shtëpia e Bardhë, nën administratën aktuale, ishte e përqendruar më shumë tek zhvillimi ekonomik, ndërsa zoti Biden para se të zgjidhej president, kishte shprehur një qasje pak më tradicionale?
Matthew Palmer: Çdo administratë është e ndryshme, por themelet e qasjes amerikane në Ballkanin Perëndimor, mbështetja e integrimit evropian, mbështetja anëtarësimit në NATO për ato vende në Ballkanin Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin në NATO, mbështetja e një procesi përmes së cilit vendet e Ballkani Perëndimor bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për t’u përballur me sfidat e përbashkëta dhe, përfshirë atë të fundit, COVID-in. Kjo nuk do të ndryshojë. Kështu, Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në Ballkanin Perëndimor, ne do të mbetemi një partner i mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne do të mbetemi të përkushtuar ndaj stabilitetit, mirëqenies dhe paqes në të gjithë rajonin.