Bota
Administrata e Trump planifikon anulimin e vizave B1/B2 për 200 mijë azilkërkues
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përgatitet të anulojë vizat e biznesit dhe turizmit, B1 dhe B2, për deri në 200 mijë shtetas të huaj, që kanë aplikuar ose po kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.
Lajmi është raportuar nga Associated Press, e cila thotë se ka siguruar dokumente të Departamentit të Shtetit dhe ka folur me dy zyrtarë amerikanë. Nëse plani zbatohet, ai do të përbënte revokimin më të madh të njëhershëm të vizave në historinë e Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Shtetit pritet ta shpallë masën në javët e ardhshme, në koordinim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS).
Masa do të prekë personat e pajisur me viza B1 dhe B2 të lëshuara nga viti 2016 deri në vitin 2026, të cilët kanë paraqitur kërkesa për azil ose janë aktualisht në proces për ta kërkuar atë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, tha se autoritetet amerikane po bashkëpunojnë me DHS për të identifikuar dhe revokuar vizat e personave që kanë hyrë në SHBA si vizitorë afatshkurtër, por më pas kanë paraqitur kërkesa për azil me synimin për të qëndruar përgjithmonë në vend.
Megjithatë, revokimi i vizës nuk do të nënkuptojë automatikisht dëbimin e personave të prekur. Sipas zyrtarëve të cituar nga AP, shumica e njerëzve me çështje azili në pritje do të kalonin në një kategori tjetër emigracioni, duke humbur statusin e tyre si vizitorë për biznes ose turizëm, ndërsa procedurat e azilit vazhdojnë.
Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, kritikoi publikisht personat që përdorin vizat turistike ose të biznesit për të hyrë në SHBA dhe më pas paraqesin kërkesa për azil. Ai argumentoi se sistemi i azilit nuk duhet të përdoret si mënyrë për të anashkaluar ligjet amerikane të emigracionit.
Masa e re vjen në kuadër të politikës së administratës Trump për forcimin e kontrolleve të emigracionit dhe vizave. Gjatë 18 muajve të fundit, Departamenti i Shtetit ka revokuar rreth 175 mijë viza për persona të dënuar ose të akuzuar për vepra penale, përfshirë dhe ato si drejtimi i automjetit në gjendje të dehur, si dhe për persona që kanë bërë deklarata publike kundër politikave të SHBA-ve, veçanërisht lidhur me Lindjen e Mesme.
Administrata amerikane ka ndërmarrë ndërkohë edhe masa të tjera, duke kërkuar më shumë informacion mbi aktivitetin e aplikantëve në rrjetet sociale, duke vendosur tarifa ose garanci të kushtueshme për disa aplikantë dhe duke pezulluar lëshimin e vizave për shtetas të vendeve të caktuara.