Connect with us

Bota

Alarm në krahun lindor të NATO-s/ Polonia: Parandaluam kërcënimin në kufirin me ukrainën

Tensionet në krahun lindor të NATO-s po rriten. Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se Polonia dhe Ukraina kanë arritur të parandalojnë gjatë natës një kërcënim ndaj një pike kufitare mes dy vendeve, ndërsa paralajmëroi se Rusia mund të tentojë të godasë rrugët që lidhin Ukrainën me Europën.

Duke folur në Bratislavë, Tusk tha se autoritetet polake presin provokime të tjera në pikat kufitare me Ukrainën.

Sipas kryeministrit polak, objektivi i mundshëm do të ishte goditja e korridoreve tregtare dhe logjistike që mbajnë të lidhur Ukrainën me vendet e Bashkimit Europian.

“Ne presim që Rusia të synojë gjithashtu pikat kufitare polako-ukrainase”, ishte paralajmërimi i Tusk, sipas Reuters.

Deklaratat vijnë pas sulmit me dronë rusë ndaj pikës kufitare Starokozache, mes Ukrainës dhe Moldavisë, ku u vranë dy civilë. Pikërisht ky lloj sulmi ka shtuar shqetësimin se infrastruktura kufitare dhe rrugët tregtare mund të shndërrohen në objektiva gjithnjë e më të rëndësishëm të luftës.

Tusk zbuloi gjithashtu se ka marrë një raport të detajuar nga CIA mbi skenarët e mundshëm të sigurisë në muajt e ardhshëm, duke theksuar se Polonia dhe Europa duhet të përgatiten për zhvillime të ndryshme në kufirin lindor të BE-së dhe NATO-s.

Situata u bë edhe më serioze mëngjesin e së enjtes, kur forcat polake të mbrojtjes ajrore u vendosën dy herë në gatishmëri të shtuar, për shkak të aktivitetit të dronëve rusë mbi Ukrainën perëndimore dhe rrezikut potencial për hapësirën ajrore polake.

Rusia nuk kishte reaguar menjëherë ndaj deklaratave të Tusk.

Ngjarja vjen në një moment kur vendet e NATO-s po shtojnë vigjilencën ndaj veprimeve ruse pranë territorit të Aleancës, ndërsa lufta në Ukrainë po shoqërohet gjithnjë e më shumë me sulme ndaj infrastrukturës ekonomike, energjetike dhe logjistike.

 

Advertisement