Aktualitet
Bullgaria mbështet procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zëvendëskryeministren e Parë e Ministren e Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.
Homologët diskutuan hollësisht mbi bashkëpunimin mes dy vendeve në organizata rajonale e ndërkombëtare si Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë e NATO.
Gjithashtu, ministrat biseduan edhe për rëndësinë e forcimit të Procesit të Berlinit dhe domosdoshmërinë e përparimit të mëtejmë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Falënderojmë Bullgarinë për mbështetjen e vazhdueshme për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.” -u shpreh Cakaj lidhur me telefonatën e zhvilluar.
Në përfundim të reagimit, Cakaj theksoi se Bullgaria mbështet fort liberalizimin e vizave me Republikën e Kosovës dhe ka pasur një sjellje shumë mbështetëse për Republikën e Kosovës në shumë nisma rajonale e jo vetëm.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

