Kosova
Daniel Serwer: Vuçiç është politikan shumë i aftë, më i zgjuar politikisht se Sllobodan Millosheviçi
Profesori i Universitetit amerikan “Johns Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer, duke folur per situaten ne Serbi e cila po përballet me protesta të mëdha studentore, ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiç ka lënë të kuptohet disa herë mundësinë e dorëheqjes, tha se ai nuk mund të spekuloj nëse presidenti Vuçiç do të japë dorëheqjen dhe se kjo është një vendimmarrje personale dhe vendime të tilla nuk mund të parashikohen.
“Protestat ne Serbi tregojnë qartë pakënaqësi serioze ndaj sistemit politik që Vuçiç ka krijuar, i cili është më autokrat sesa qeveritë e mëparshme në historinë e afërt të Serbisë. Sipas mendimit tim, ai sistem nuk ka qenë aq i suksesshëm ekonomikisht apo në raport me integrimin europian sa pretendon ai vetë. Gjithashtu, Serbia nuk ka ndjekur vetëm neutralitetin politik, por është afruar gjithnjë e më shumë me Kinën dhe Rusinë. Personalisht, po të isha serb, nuk do të isha i kënaqur me atë drejtim.
Megjithatë, opinionet politike në Serbi janë të ndryshme. Disa mendojnë se Vuçiç nuk ka qenë mjaftueshëm i ashpër ndaj Kosovës, ndërsa të tjerë mendojnë se ai duhej të afrohej edhe më shumë me Rusinë ose Kinën.
Në këtë fazë nuk besoj se rezultati i zgjedhjeve në Serbi është i lehtë për t’u parashikuar. Në përgjithësi, nuk besoj në parashikime zgjedhore. Në një zgjedhje demokratike, rezultati dihet vetëm ditën pas votimit” – deklaroi Serwer duke shtuar se “Opozita ende duhet të organizohet, të hartojë një program të qartë politik dhe të bindë qytetarët se është e aftë të qeverisë”.
“Vuçiç, ndërkohë, do të argumentojë se ka sjellë rezultate për Serbinë. Ai do të theksojë se nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe do të paraqesë një argument të fortë politik për veten. Ai është një politikan shumë i aftë, sipas mendimit tim, më i zgjuar politikisht sesa ishte Sllobodan Millosheviçi.Kur Vuçiç erdhi fillimisht në pushtet, mendova se mund ta orientonte Serbinë drejt Perëndimit. Fatkeqësisht, ai zgjodhi një rrugë tjetër, të cilën unë personalisht nuk mund ta mbështes” – theksoi Daniel Serwer.