Aktualitet
Dritan Goxhaj: Protesta ka hyrë në fazën politike
Në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV, analisti dhe ish-ushtaraku Dritan Goxhaj deklaroi se protestat e fundit kanë kaluar tashmë nga kërkesat individuale dhe institucionale në një fazë të re, ku kërkesa kryesore është dorëheqja e qeverisë dhe e klasës politike që, sipas tij, ka dëmtuar vendin.
Sipas Goxhajt, protesta nuk ka më objektiva të ndërmjetëm apo faza të ndryshme zhvillimi, por një qëllim të vetëm politik. Ai theksoi se lëvizja duhet të vazhdojë deri në momentin kur qeveria të japë dorëheqjen.
“Protesta ka kaluar nga kërkesat e vogla dhe individuale në një kërkesë të vetme politike. Kërkohet dorëheqja e7 kësaj qeverie dhe e kësaj klase politike, që është e keqja e këtij vendi. Nuk ka më faza, ka vetëm ecje përpara deri në arritjen e këtij qëllimi”, u shpreh ai.
Goxhaj vlerësoi gjithashtu pjesëmarrjen në protestë, duke theksuar se rëndësi nuk ka vetëm numri i protestuesve, por mbështetja e vazhdueshme qytetare.
“Masiviteti nuk matet vetëm me 100 apo 200 mijë vetë në shesh. Edhe 10, 15 apo 20 mijë qytetarë që dalin vazhdimisht tregojnë se protesta ka mbështetje dhe po sjell një frymë të re në shoqëri”, tha ai.
Duke folur për dimensionin europian të protestës, Goxhaj argumentoi se demonstrimet paqësore janë një dëshmi e pjekurisë demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe një mesazh për Bashkimin Europian.
Sipas tij, protestat tregojnë se Shqipëria nuk synon integrimin europian si barrë për kontinentin, por si një vend që sjell vlera demokratike.
“Nëse këto protesta vazhdojnë në mënyrë paqësore dhe qytetare, ne po i tregojmë Europës se nuk duam të hyjmë në Europë si barrë, por si vlerë e shtuar. Demokracia është mbi të gjitha një formë sjelljeje dhe këto protesta janë shprehje e asaj sjelljeje demokratike”, deklaroi Goxhaj.