Connect with us

Kosova

Duke frikësuar Serbinë me fantazmën e luftës, Lavrov përhap rrëfime të reja nga kuzhina e Kremlinit

Sergey Lavrov, Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë me mbi dy dekada përvojë në krye të departamentit të punëve të jashtme të Federatës, i dërgoi një mesazh Serbisë.
“Zoti Net”, siç e quajnë këtë shef të ashpër të diplomacisë ruse, paraqiti interpretimin e tij mbi këmbënguljen e Brukselit që Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Europian, ku dhe aspiron të anëtarësohet.
Lavrov tha se Moska beson se një kërkesë e tillë interpretohet në praktikë si ” përfshirje e Serbisë në luftën në Ukrainë “.
Mesazhet e diplomatit rus ishin edhe një mesazh per opinionin publik në Serbi, i cili ende ka një përqindje të konsiderueshme simpatie për Rusinë dhe neveri ndaj Perëndimit, se rruga drejt harmonizimit të kurseve të politikës së jashtme të Serbisë dhe BE-së në fakt do të thoshte prishje e miqësisë dhe “shpallje lufte” ndaj Federatës vëllazërore Ruse.
Në deklaratën e tij, Lavrov përmend se Moska ka kohë që bisedon me zyrtarët serbë për “dy ultimatume” nga Brukseli: njëri ka të bëjë me njohjen e Kosovës, dhe tjetri me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Në këtë mënyrë, diplomati rus e lidhi çështjen e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, me një kusht që askush nga BE-ja nuk ia ka thënë shprehimisht Serbisë: që ajo “de jure” ta njohë Kosovën shtet për hir të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Lavrov është i vetëdijshëm se një përqindje e madhe e qytetarëve serbë nuk do ta mbështesnin anëtarësimin në BE nëse çmimi për këtë do të ishte njohja e Kosovës. Kjo është arsyeja pse ai e lidh këtë çështje me të dhe përpiqet të barazojë marrëdhënien e Serbisë me Federatën Ruse për sa i përket rëndësisë.
Lavrov e di se dobësimi i ndikimit të Rusisë në Serbi, do të thoshte humbje e një pike të rëndësishme strategjike në një rajon të dominuar nga ndikimi perëndimor përmes aleancës së NATO-s. Prandaj, diplomati rus u thotë qytetarëve të Serbisë se, në thelb, hyrja e vendit në Bashkimin Evropian, që logjikisht do të thotë përafrimi i tij me politikën e jashtme të Brukselit, do të thoshte zgjedhjen e një pale dhe ndërprerjen e lidhjeve me Rusinë.

Advertisement