Aktualitet
E rëndë/ Dyshohet se dhunoi 2-vjeçarin, arrestohet edukatorja
Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 32-vjeçare, e cila punonte si edukatore në një kopsht privat.
Sipas njoftimit të Policisë, shtetasja me inicialet B. H. dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku ajo ushtronte detyrën.
Materialet procedurale për rastin i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B. H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasin B. O., 32 vjeç, pasi, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka tentuar të godasë me automjet shtetasin L. H., të cilin më pas e ka goditur me një send të fortë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasit R. S., 20 vjeç dhe B. R., 34 vjeç, pasi 20-vjeçari, gjatë një konflikti me kushëririn e tij, B. R., dyshohet se tentoi ta godiste me një armë artizanale në dukje luftarake, ndërsa 34-vjeçari paraprakisht ishte konfliktuar dhe kishte kanosur nënën e 20-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.