Sport
Edon Zhegrova nuk është për t’u shitur/ Comolli: Jemi të lumtur me kontributin e tij
Shefi i Juventus-it, Damien Comolli ka folur së fundmi për të ardhmen e Edon Zhegrovës te bardhezinjtë, duke lënë të kuptohet se klubi vazhdon të besojë tek anësori i Kosovës, pavarësisht një sezoni të parë jo shumë bindës në Torino. Zhegrova nuk ka arritur ende të lërë gjurmë të mëdha me fanellën bardhezi dhe gjatë muajve të fundit është aluduar shpesh për një largim të mundshëm të tij në verë. Megjithatë, drejtuesi i Juventus-it ka hedhur poshtë këto spekulime, duke theksuar se lojtari vazhdon të ketë mbështetjen e klubit dhe të trajnerit. Duke folur për mediat italiane mbi situatën e përgjithshme te Juventus-i, Comolli u ndal veçanërisht te reprezentuesi i Kosovës.
“Zgjodhëm ta transferojmë Zhegrovën sepse ai ka një aftësi shumë të qartë: mund të krijojë diçka nga asgjëja”, deklaroi Comolli. Ai shtoi se klubi mbetet i kënaqur me kontributin e lojtarit deri tani, ndërsa zbuloi se edhe trajneri Luciano Spalletti vlerëson punën e tij.
“Jemi të lumtur me kontributin e tij dhe edhe trajneri Spalletti është i kënaqur me atë që po jep”, vijoi kreu i Juventus-it.
Comolli tregoi gjithashtu edhe një bisedë personale që kishte zhvilluar me Zhegrovën, ku lojtari kishte shprehur zhgënjimin për një rast të humbur këtë sezon.
“Kur biseduam më tha: ‘Nëse do ta kisha shënuar atë gol kundër Galatasaray-t, ndoshta do ta kishte ndryshuar sezonin dhe karrierën time’”, zbuloi ai.
Sipas Comolli-t, përgjigjja ndaj lojtarit ishte e qartë: “Po, është e mundur, por tani duhet të jesh mjaftueshëm i fortë mendërisht për të reaguar”.
Zhegrova është paraqitur në 27 ndeshje me Juventus-in këtë sezon, por vetëm në njërën prej tyre si titullar. Ai nuk ka mundur të shënojë apo asistojë.