Aktualitet
Evropa po përjeton ditët më të nxehta në histori, ekspertët paralajmërojnë për…
Evropa përjetoi muajin e kaluar një nga majët më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, nën ndikimin e një vale të hershme dhe intensive të të nxehtit. Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus i Bashkimit Evropian paralajmëroi se ngjarje të tilla po shndërrohen gradualisht në “normalitetin e ri”.
Britania e Madhe, Franca, Irlanda dhe Portugalia shënuan rekorde të reja temperaturash gjatë muajit maj, ndërsa një “kupolë nxehtësie” me ajër të ngrohtë nga Afrika Veriore solli temperatura shumë mbi mesataren në të gjithë Evropën Perëndimore.
Sipas buletinit të publikuar nga Copernicus, muaji u karakterizua nga një kalim i shpejtë nga temperatura shumë më të ulëta se mesatarja në një nga valët më intensive të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë kaq herët gjatë vitit në Evropën Perëndimore.
Sipas të dhënave, temperaturat e ndjeshme në shumë zona të Evropës arritën nga 35 deri në 40 gradë Celsius. Ekspertët theksojnë se ky ndryshim i menjëhershëm i temperaturave ka gjasa të ketë rritur ndikimin tek popullata, bujqësia dhe ekosistemet, të cilat kishin pak kohë për t’u përshtatur me kushtet e reja.
Në nivel global, temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqe arriti në 15.81 gradë Celsius, duke e bërë majin e vitit 2025 muajin e dytë më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, pas majit 2024.
Po ashtu, temperatura mesatare e sipërfaqes së detit rezultoi e dyta më e lartë e regjistruar ndonjëherë, ndërsa kushtet klimatike po orientohen drejt zhvillimit të fenomenit El Niño.
Parashikimet tregojnë se El Niño mund të jetë ndër më të fortët e regjistruar ndonjëherë, duke rritur mundësinë që temperaturat globale të arrijnë nivele rekord deri në vitin 2027. Sipas Copernicus, temperaturat në një pjesë të Paqësorit tropikal vazhdojnë të mbeten në nivele jashtëzakonisht të larta.
Ndërkohë, Organizata Botërore Meteorologjike ka vlerësuar se ekziston një probabilitet prej 80% që El Niño të zhvillohet gjatë periudhës qershor-gusht, duke shtuar rrezikun për ngjarje ekstreme të motit në mbarë botën.
Fenomeni i fundit El Niño kontribuoi që viti 2023 të renditej si viti i dytë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, ndërsa viti 2024 u shpall viti më i nxehtë në histori.