✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Gjendet i pajetë studenti, familja e kërkonte prej 20 ditësh, identifikohet nga tatuazhi në gjoks

Një mesazh i shkurtër dhe shqetësues ishte kontakti i fundit i Ferdinand Nokajt me familjen, vetëm pak orë pasi 25-vjeçari shqiptar kishte treguar se ishte sulmuar nga disa persona në Rovereto të Italisë. “Si je?”, e pyeti vëllai në orën 19:16 të 30 gushtit. “Ende gjallë”, ishte përgjigjja e Ferdinandit. Pas atij momenti, telefoni i tij heshti dhe familja nuk arriti të komunikonte më me të.

I riu, i lindur në Fano dhe me familjen banuese në Colli al Metauro, prej pesë vitesh jetonte në Rovereto, ku studionte psikologji. Zhdukja e tij u denoncua të nesërmen nga vëllai, ndërsa kërkimet vijuan për javë të tëra.

Vetëm pesë ditë pas zhdukjes, më 5 shtator, në brigjet e lumit Adige, në Grumo të komunës San Michele all’Adige, rreth 42 kilometra nga Rovereto, ishte gjetur trupi i pajetë i një të riu. Por trupi nuk u identifikua menjëherë si ai i Ferdinandit dhe familja vazhdoi ta kërkonte edhe për rreth 20 ditë, pa e ditur se ai ndodhej në morgun e spitalit Santa Chiara në Trento.

Identifikimi u bë më 25 shtator, kur babai i Ferdinandit u dërgua në spital dhe njohu të birin nga fytyra dhe nga një tatuazh në gjoks.

Disa orë përpara mesazhit të fundit, Ferdinandi i kishte treguar familjes se ishte sulmuar në Rovereto nga disa djem shqiptarë. Në fytyrë kishte shenja dhe, sipas familjarëve, ishte i frikësuar. Babai e kishte këshilluar të shkonte menjëherë te karabinierët.

“Kjo është ajo që po mendoj të bëj, babi”, i ishte përgjigjur Ferdinandi.

Megjithatë, nuk rezulton që 25-vjeçari të jetë paraqitur te karabinierët. Në orën 17:21 të 30 gushtit ai kishte komunikuar përsëri me vëllanë, këtë herë nga stacioni hekurudhor i Roveretos. Vëllai kishte menduar se Ferdinandi po përgatitej të kthehej në shtëpi.

Për rrethanat e vdekjes së 25-vjeçarit po heton Prokuroria e Trentos, e cila ka hapur një dosje për nxitje të vetëvrasjes.

Ferdinand Nokaj kishte lindur në Fano, ndërsa familja e tij jeton në Colli al Metauro. Prej pesë vitesh ai ishte vendosur në Rovereto, ku ndiqte masterin në Shkencat Konjitive në fakultetin e psikologjisë. Gjatë verës punonte edhe në një piceri.

Më 30 gusht, prindërit e tij ndodheshin në Shqipëri. Pikërisht atë pasdite, Ferdinandi u kishte treguar se ishte grindur me disa djem shqiptarë dhe se ishte sulmuar. Pas ngjarjes, ai publikoi edhe një “Story” në Instagram. Familja ka ruajtur një screenshot të postimit, ku në fytyrën e tij dallohen shenja.

Pas denoncimit të zhdukjes, verifikimet e telefonit të Ferdinandit çuan hetuesit deri në Termeno sulla Strada del Vino, në Tirolin e Jugut. Aty rezultonte vendndodhja e fundit e celularit, rreth 64 kilometra larg Roveretos. Mbetet e paqartë se si 25-vjeçari kishte përshkuar këtë distancë, pasi me vete kishte vetëm një çantë të vogël supi.

Sapo mësuan për zhdukjen, prindërit ndërprenë qëndrimin në Shqipëri dhe u kthyen në Itali. Më 1 shtator ndodheshin te karabinierët, ndërsa babai nisi kërkimet e vazhdueshme në Trentino. Ai kërkonte të birin në rrugë, kontaktonte miq e të njohur dhe interesohej pranë karabinierëve, por pa marrë asnjë informacion që mund ta çonte tek ai.

Ndërkohë, më 5 shtator, trupi i një të riu ishte gjetur në brigjet e Adiges, në Grumo. Për ditë të tëra askush nuk e lidhi trupin e paidentifikuar me studentin shqiptar që kërkohej nga familja.

Në mesin e shtatorit, babai iu drejtua avokatit Francesco Bonatesta. Më 18 shtator, avokati i shkroi Komisariatit të Qeverisë për Provincën e Trentos, duke kërkuar aktivizimin e planit provincial për kërkimin e personave të zhdukur.

Pritjes së familjes i erdhi fundi në mbrëmjen e 24 shtatorit. Në orën 23:10, babai mori një telefonatë nga karabinierët e Roveretos, të cilët i kërkuan të paraqitej të nesërmen. Ai u shoqërua në spitalin Santa Chiara të Trentos, ku identifikoi trupin e të birit.

Kështu, pas gati një muaji kërkimesh, familja mësoi se Ferdinandi ishte gjetur i pajetë vetëm pesë ditë pas zhdukjes. Tashmë hetimet pritet të sqarojnë çfarë ndodhi me 25-vjeçarin nga momenti i sulmit që i kishte treguar familjes deri në gjetjen e trupit të tij në brigjet e lumit Adige.

Advertisement