Connect with us

OPINION

Gjeopolitika që do prodhojë Luftën e Tretë Botërore – Eksperti i Sigurisë Drizan Shala, paraqet faktet

Lufta e Tretë Botërore (2027-2035) – Projeksion i bazuar në gjeopolitikën aktuale.
📍Fillimi i Luftës
Në përgjithësi besohet se lufta do të fillojë më 30 prill 2027. Pas një vendimi të diskutueshëm për të vendosur raketa bërthamore në L’viv Oblast, Ukrainë (shih foton 1).
Vendimi do të kishte një pasojë të madhe diplomatike, me Rusinë që kërkon që raketat bërthamore të hiqen brenda 48 orëve ose marrëdhëniet formale do të ndërpriten.
📍Sipas projeksionit real:
Aksioni i parë në luftë do të ishte një shtytje e përbashkët e armatosur ruso-bjelloruse drejt L’viv, sulmi u zmbraps shpejt nga trupat polake dhe rumune që sulmonin nga perëndimi dhe jugu.
📌NATO do të fillojë të organizojë:
Shumë vende të NATO-s si Gjermania dhe Italia do të refuzojnë plotësisht të ndryshojnë ekonomitë e tyre në prodhim lufte, ata do të dështojnë të përmbushin disa kuota ndërsa ushtarët, tanket dhe brigadat mobilizohen për të marrë pjesë në operacionin e NATO-s kundër Rusisë. Gjermania si tani, por edhe ne, ky projeksion do të ishte shprehur kundër vendimit të mëparshëm për vendosjen e raketave në Ukrainë dhe në përgjithësi kishte shtyrë për një zgjidhje politike.
📌Evropa do të fillojë të organizohet:
Duke kuptuar se lufta po përshkallëzohej, disa njësi rezervë në Gjermani, Francë dhe Britani të Madhe do të fillonin mobilizimin brenda aleancës së NATO-s.
Një lëvizje e madhe kundër luftës u ndërtua pasi frika e luftës termonukleare do të arrinte kulmin e saj, Gjermania, Franca, Britania e Madhe do të vendosnin të zhvendosnin ekonomitë e tyre në prodhim gjysmë lufte dhe të fillonin ndarjen e burimeve drejt industrive kryesore të mbrojtjes dhe të fillonin rekrutimin.
Disa vende evropiane do të refuzonin plotësisht kalimin në një ekonomi lufte, disa do të tërhiqeshin plotësisht nga NATO.
📍Turqia do të largohet nga NATO dhe do të shpallë neutralitet nën qeverinë e Rexhep Tajip Erdogan, Greqia dhe Serbia do të kenë grusht shteti pro-rus dhe në vend të kësaj do të shkojnë në luftë në anën e CSTO.
Disa vende si Italia, Spanja, Portugalia, Grenlanda dhe Islanda do të refuzonin të dërgonin kuotat e tyre të trupave dhe pajisjeve.
Ky grup u bë i njohur si “Grupi i Humbur” ose “Tradhtarët”, ky grup kombesh do të dërgonte vetëm sasi të vogla trupash së bashku me pajisje për shkak të frikës së luftës termonukleare dhe de facto do të shpallte neutralitet!.
📍Blitzkrieg i Paqësorit (shih foton 2).
Kinezët do të vendosin një sulm masiv amfib dhe tokësor në Vietnam, pasi Vietnami mori Ishujt Spratly nga marina kineze, me mbi 500,000 trupa të përfshira në operacionet fillestare nga të dyja palët.
Ushtria kineze do të përparonte shpejt në Vietnam nga Laosi, Kamboxhia dhe provinca Guangxi në drejtimet perëndimore dhe veriore respektivisht.
📤Informacion rreth projeksionit:
(Ky projeksion bazohet në metodologjinë shkencore dhe synon të inkurajojë studiuesit e fushës në mënyrë adekuate në avancimin e mendimit dhe parashikimeve për dhe mbi gjeopolitikën aktuale si dhe gjeostrategjinë).
Mund të jetë një imazh i hartës dhe tekstit
May be an image of map and text
May be an image of map and text that says 'World War III'

OPINION

Dëshmitar i sherrit/ Përplasje Veliaj-Baton: Jep dorëheqjen

Nga Andi Bushati

Përplasja e fundit mes Baton Haxhiut dhe Erion Veliajt më ndriçoi në mënyrë të papritur një nga enigmat që më mundonte prej kaq kohësh, atë se pse në bashkinë e Tiranës kanë vjedhur kaq trashë. Unë isha, në një farë mënyre, dëshmitar i “sherrit”. Ose, më mirë të thuash, rastësisht prezent, në vendin ku ai nisi. Gjendeshim në studion e Çim Pekës. Tema e diskutimit ishte thirrja në SPAK e Veliajt dhe skandali i “5D”, drejtorëve të bashkisë që akuzohen se ngritën një kompani private, për të grabitur paratë publike që tenderonin me firmën e tyre.

Ashtu sikurse ndodh rëndom në debatet tona, mbështetësit e qeverisë ishin përballë nesh, kritikëve të saj. Pyetja që u shtrua ishte: Qoftë dhe moralisht, pas skandaleve të zbuluara, a duhet të jepte Veliaj dorëheqjen. Me shumë vështirësi, duke dredhuar disa hërë, kolegu Lorenc Vangjeli, tha më në fund, me gjysëm zëri, se ai duhet të respektonte mandatin e atyre që e kanë votuar majin e shkuar.

Edhe Baton Haxhiu tentoi të mos përgjigjej, provoi të rëshkasë dhe më në fund, si pa shumë dëshirë, gjeti një formë elegante për të mos u bërë njësh me hajdutët: “Në kushte të tilla unë do të jepja dorëheqjen”, guxoi të thotë. As nuk e akuzoi Erionin si vjedhës, as tha e meriton burgun, as pretendoi se ka prova kundër tij. Madje, madje, as i kërkoi që të ikte. Këtë e la thjeshtë në moralin e tij. Dhe ky qe krimi i madh që bëri.

Të nesërmen e emisionit, të njëjtën ditë kur Veliaj duhet të shkonte në SPAK, portretin e Batonit e pashë në një fotomontazh të shpërndarë nga propogandistët e bashkisë, ku bashkë me mua dhe të tjerë, renditeshin armiqtë e Lalit. Kur doli nga Prokuroria e Posaçme, Veliaj e futi edhe Haxhiun në listën e “llumit”, “interesaxhijve”, “maskarenjve”, të cilën e kishte përpiluar vetë. Dhe pse? Pasi siç shpjegoi, kishte parë një natë më parë debatet politike. Pikërisht atë ku Batoni nuk e konsideroi dorëheqjen si një sakrilegj.

Pyetja që më lindi teksa ndiqja këtë dalldi ishte: a i interesonte ish kreut të 99-shave, ky reagim kaq asimetrik, në këtë moment? A i voliste të hapte një konflikt me një gazetar që njihet si mbështetës i forcës së tij politike dhe i kryeministrit Rama? A nuk përçonte kjo mesazhin se ai po braktiset edhe nga krahu i tij? A nuk i rikujtonte kjo njerëzve faktin se, që kur i kanë rënë në burg drejtorët, askush nga ish përkrahësit publikë, nuk përbetohet më me zë të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin, apo zotësinë e Lalit?

Pra, qoftë edhe taktikisht, nëse do të kishte konsultuar një specialist të vërtetë mardhëniesh publike, ai do ti’a kishte shkëshilluar Veliajt konfiktin me Batonin. Jo thjeshtë sepse ky nuk bëri ndonjë herezi, por sepse atij vetë nuk i interesonte. Po ashtu, ai me siguri nuk do ti kishte rekomanduar ndërprerjen e quravitjes qesharake kundër emisioneve politike, ndërkohë që ai kontrollon mbi 90% të audiencës televizive. Mbi të gjitha do ta porosiste që të mos krijonte armiq të rinj, tani që është me një këmbë në varr.

Por, Veliaj ndoqi rrugën e kundërt. Ai prodhoi një zinxhir gafash që iu kthyen në boomerang, fiks ashtu siç bëri kur u përpoq të manipulonte me fletëthirrjen nga SPAK. Tha se do të shkonte vetë, por i botuan dokumentin e kërkesës së prokurorëve. Nxitoi të paraqitej dy orë përpara kohës së paracaktuar, për të mos u kapur nga kamerat e reporterëve, por ato e fiksuan duke pritur i shpërfillur te vendi i dezhurnit të prokurorisë. I trajtoi miqësisht si kolegë ata që do e pyesinin, por të njëjtët nuk e lëshuan për plot tetë orë.

Po çfarë i bën bashkë dy gjëra që duken kaq të largëta: incidentin me Batonin dhe përpjekjen për të manipuluar me fletëthirrjen e SPAK-ut? Ajo është një e vetme: lëhtësia e padurueshme për tu sjellë si një fëmijë i parritur. Përpjekja për të gënjyer duke përdorur marifete të një nxënësi filloreje. Veprime të pakuptimta që kthehen në boomerang.

Kjo është në fakt një karakteristikë e mbarë bandës së bashkisë.

Vetëm kur e sheh se sa të lehtë, naivë, çiliminj janë në komunikimin publik, në mënyrën si prodhojnë konfliktet dhe reken të manipulojnë debatin, e ke më të kollajshme për të kuptuar se me po të njëjtën mënyrë idiote dhe debile kanë tentuar të na vjedhin. E bënë pa u lodhur fare, duke ngritur një firmë të tyre, për ti kaluar direkt paratë e buxhetit të bashkisë.

Këtu qëndron, në të vërtetë, veçantia e Lalit dhe enturazhit të tij, ajo e njerëzve bazikë, me 200 fjalë fjalor, që tregëtojnë gënjeshtra të trasha dhe që grabisin pa qenë në gjendje të fshehin as gjurmët. Ata i vërsulen Batonit, me të njëjtën shpërfillje mendjelehtë si arkës së shtetit. Ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se, qoftë dhe për të qenë manipulator apo hajdut, duhet një lloj talenti. Për fatkeqësinë e tyre ata kanë qenë të bindur se e kishin me bollëk atë. Pushteti i madh që i’u ra në krye si dhuratë, çantat e zeza që u dërgonin pronarëve të TV-ve, i yshtën ti besonin projektimit fallco të vetes, në kronikat e gatshme që dërgonin në ekrane. Ata imponuan fabulën e një qyteti më të gjelbëruar duke ngritur kulla, e një Tirane më të pastër duke vjedhur me inceneratorin, e një ajri më të përmirësuar duke zhdukur matjen e tij. Ata i ngjanin atyre grave të dëshpëruara, që pasi janë rindërtuar nga kirurgu plastik, fillojnë e imagjinojnë se ashtu i ka pjellë nëna. Ky vetëbesim i bëri edhe më arrogantë edhe më mendjelehtë, aq sa arritën deri këtu.

Pikërisht në këtë rrugë po vijojnë edhe tani, duke tërhequr përmes sherreve të kota vëmendjen tek vetja dhe duke harruar instiktin e gjithë mëkatarëve, që presin në heshtje të qetësohet fortuna, me shpresën se me kalimin e saj edhe mund të harrohen. Jo. Veliaj dhe banda e tij vazhdojnë naivisht të shpikin armiq, duke mbetur në qendër të vëmendjes dhe duke ia hequr edhe një SPAK-u që reket ti amnistojë, mundësinë për të mos u marrë me ta.

I tillë qe dhe sherri në fillimin e të cilit qëllova prezent dhe unë. Lali krijoi një përplasje pa shkak dhe të panevojshme, pa u merakosur që kështu mund të forconte, më kot, perceptimin se po sulmohet edhe nga krahu i Ramës. As këtë herë ai nuk e humbi rastin për t’u treguar halldup në komunikim, njësoj si në grabitje.

/Lapsi

Continue Reading

OPINION

Kosova një pikë e zezë në hartën e Evropës

Nga Hisen Berisha

Pasojat e propagandës kundër shtetit, të këtyre qeveritarëve para dhe pas ardhjes në pushtet, tani po sjellin efektet domino.

Kur udhëheqin njerëzit e këqinj, marrin vendime të gabuara, atëherë populli e paguan çmimin e pasojave. Kjo po i ndodhë popullit të Kosovës aktualisht.

Ata menduan se duke etiketuar dhe denigruar shtetin dhe çdo arritje politike, ekonomike, sociale, të sigurisë dhe integrimeve, do të fitonin një pozicion të favorshëm dhe të besueshëm në arenën ndërkombëtare.

Tani po përballen me mekanizma ideologjik të “revolucionit me shamija të kuq”, të cilët vetë i kanë krijuar me propagandë dhe kauza të rrejshme. Tani ata duhet të shërbehen edhe mëtej me gjuhë elektorale për të mbijetuar vetë-viktimizimin!

Shikoni se si po bëhen investimet në infrastrukturë rrugore, arsim, shëndetësi, çështje sociale dhe për mundësi të barabarta punësimi (me rekomandime partiake), dhe në fushën e sigurisë në veçanti. Abuzim i pa parë me paranë publike dhe taksat e qyetarëve, i cili duhet hetuar nga organet përkatëse dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Një qeveri e përgjegjshme përgatitet gjithmonë për luftë, e ngrit dhe siguron sigurinë e saj, por nuk flasin hapur për luftë.Propaganda si mjet linçues, paranojat, dhe frikësimi i qytetarëve janë mekanizma për të mbajtur nën kontroll emocionet e qytetarëve, bashkë me varfërimin ekonomik si doktrinë dhe varësinë sociale, si mekanizëm i regjimeve të majta dhe totalitare, për të udhëhequr/sunduar më lehtë me qytetarët duke i mbajtur të lidhur me pushtetin.

Nga Serbia, pritet gjithmonë luftë hibride dhe jo vetëm, por edhe konvencionale, në rastin e parë historik dhe politik, po t’iu jepet.Serbia ka vazhduar të angazhohet në luftë hibride në Kosovë që nga çlirimi në vitin 1999, duke filluar me organizimin e “Rojeve të Urës” deri te rasti i “Banjes”.

Qeveria duhet të flasë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake për mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe për gatishmërinë luftarake nëse ka sinjale, dhe jo të flasë hapur për luftë.

Prandaj, ky është një kërcënim i vjetër, sa ekzistenca e dy kombëve tona, dhe asnjë tregues ushtarak ose gjeopolitik nuk është ndryshuar, përveç përparësive të sojit neokomunist që po përhapen dhe po bëhen kërcënim për shfarosjen e qytetarëve, me pretekstin, nëse nuk i rivotojmë ata.

Sa i përket natyrës së qeverisjes sonë, raportet ndërkombëtare për Kosovën, si ai i Freedom House dhe veçanërisht ai i Departamentit të Shtetit të SHBA, flasin me tone tëjet shqetësuese.

A nuk e vëren kjo qeveri se, me propaganden e revolucionit me shamija të kuqe dhe veprimet e tyre politike, po e bëjnë Kosovën një pikë të zezë në hartën e Evropës?!

Continue Reading

OPINION

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi

Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të ditur çfarë duan e çfarë nuk duan njerëzit në mardhënie me politikën.

Sondazhi është një fotografi e realitetit e cila ia vlen të merret në konsideratë, gjithnjë nëse ne dëshirojmë të mësojmë diçka mbi shoqërinë ku jetojmë. Duke qenë kështu, sondazhi nuk mund të shpërfillet.

Në vijim do të trajtojmë çfarë na tregoi sondazhi i Barometrit në lidhje me Opozitën, cilat ishin informacionet që neve morëm nga ky “operacion spiunazhi”.

Informacioni nr. 1:

Liderët e Refuzuar.

Në pyetjen se cili është kandidati që opozitarët shqiptarë preferojnë për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2025, del se vetëm 15.2% preferojnë Sali Berishën, vetëm 5% preferojnë Lulzim Bashën, ndërsa plot 73% preferojnë të kenë një kandidat tjetër për kryeministër.

Pra Berisha e Basha, të dy së bashku, nuk shihen si kandidatë për nesër, për të ardhmen, për vazhdimsinë. Përkundrazi ata shihen si e shkuara, si një kohë e kaluar e cila ka mbetur për inerci. Ata sot mposhten thellë nga nevoja dhe nga dëshira e opozitarëve për të pasur një kandidat të ri në vitin 2025.

Informacioni nr. 2:

Opozitarët në shoqërinë shqiptare nuk duan të kandidojnë me muzeum politik, me skelete dhe me relike të cilave iu ka kaluar vakti, ata duan lidership të ri për të larguar Edi Ramën. Pra nuk kanë rënë në disfatizëm dhe nuk kanë rënë viktima të historisë, sic shumëkush mund të mendojë se kanë rënë.

Informacioni nr. 3:

Berisha e Basha mund të dëshirojnë të luajnë ende bixhoz politik, me mendimin se ndoshta kësaj herë iu del diçka por, opozitarët nuk e preferojnë bixhozin me politikën dhe me opozitën, nuk e preferojnë bixhozin me fatin e tyre dhe me fatin e Shqipërisë.

Opozitarët shqiptarë nuk kanë dëshirë dhe as nerva, nuk kanë takat e as kohë për të humbur duke luajtur bixhoz politik; duke kandiduar përsëri me të njejtët liderë, liderë të çertifikuar tashmë si humbës kronikë, të herë-pas-hershëm.

Informacioni nr. 4:

Nga sondazhi kuptojmë se opozitarët nuk e shohin si pronë të Sali Berishës e të Lulzim Bashës, as opozitën, as të djathtën shqiptare, as vetë Partinë Demokratike. Shumëkush mund të mendojë se opozitatët, partinë, opozitarizmin, ua njohin si pronës Berishës e Bashës. Në sondazh del që jo. Shumica nuk ua njohin. Nuk mësyjnë tua marrin partitë me leva por thjesht nuk ua njohin si prona.

Informacioni nr. 5:

Jorida Tabaku më e pëlqyera prej njerëzve në radhët e politikanëve të rinj të cilët nuk kanë qenë ministra e nuk kanë konsumuar pushtet të nivelit të parë. Jorida Tabaku si model i politikanes së mbështetur tek kompetenca, tek shifrat, tek llogaritë familjare të familjeve shqiptare, tek shqetësimet mbi punën, profesionet, sipërmarrjen, të ardhurat, kursimet, rezulton “e shpërblyer nga njerëzit” për ketë model. Kjo është një e dhënë cilësore e cila vlen të konsiderohet kur të flitet mbi modelin e të djathtës së ardhshme, asaj të djathte “post Berisha e post Basha” e do të përfaqësojë të djathtën kur Shqipëria të jetë bërë shtet i BE-së.

Informacioni nr. 6: Tomor Alizoti më i panjohuri nga njerëzit

Kjo e dhënë mbi Tomor Alizotin na tregon shumë, madje është leksion më vete. Na tregon se në politikë nuk mjafton të shfaqesh si nipi i atij e stërnipi i atij tjetrit. Na tregon se për të qenë politikan i njohur e i pëlqyer, nuk mjaftojnë kriteret tribale dhe origjinat, as persekucioni komunist.

Është performanca vetjake ajo që të ngre. Kjo është shoqëri e performancës në kuptimin e mirë, nëse nuk performon në vetë të parë, nëse nuk spikat me punë konkrete, nëse ske bindje e formim solid apo kompetencë politike por, vepron me kap ça të kapësh me vesh, ushqehesh me historinë si mjet legjitimimi para njerëzve por vetëm kaq, mbetesh politikan i panjohur e i pakonsideruar. Kungulli nuk ecën mbi ujë për kohë të gjatë, një ditë fundoset.

Për ta përmbyllur, duhet trajtuar shkurt arsyeja pse njerëzit preferojnë 15.2% Sali Berishën dhe vetëm 5% Lulzim Bashën.

Në kohëra të vështira si këto që po kalon opozita, njerëzit kanë vepruar me kriteret e rrezikut për të mos u asgjësuar. Kanë kërkuar mbrojtje e siguri për mbijetesë.

Sali Berisha prej vitit 1990 është i asociuar me demokratët si politikani i cili ka qenë aty në të mirë e në të keqe. Si politikan luftarak i cili ka rrezikuar e ka luftuar. Sali Berisha duke formuar 3 qeveri të së djathtës në Shqipëri është i vetmi i cili u ka dhënë të djathtëve shijen e fitores.

Me Berishën ndodhi historia e dy lopëve. Kishin qenë dy lopë identike, lopa nënë e lopa bijë. Askush nuk mundej ta dallonte se cila është nëna e cila bija. Një burrë, tha e gjej unë se cila është nëna e cila bija. Kapi një hu në dorë dhe nisi t’i rrihte fort të dyja lopët. Njëra lopë, gjatë rrahjes, shkonte fuste kokën nën barkun e lopës tjetër. Burri tha, kjo është bija sepse kjo shkon fut kokëm tek e ama instiktivisht, për tu mbrojtur.

Edhe demokratët pas traumës së 25 prillit 2021, pas dajakut të madh, pas frikës dhe pasigurisë në atë gjendje të pashpresë, shkuan futën kokën për tu mbrojtur tek Sali Berisha, si lopa bijë tek lopa nënë.

Ndërsa Lulzim Basha është parë gjithmonë si njeri joluftarak të cilit karrierën ia dhuruar Berisha; ministër e kryebashkiak, pastaj kryepartiak, plus betejat në parti, ia ka fituar Berisha. Basha është parë si “çuni i babit”, ai nuk ka pasur asnjëherë autoritet politik të vetin e vetjak.

Kur u rikthye në partinë zyrëtare në vitin 2023, ai pati mundësinë për të dëshmuar lidership por, bëri të kundërtën, tregoi mungesë intelekti, mungesë formimi politik, mungesë vizioni për të ndërtuar parti aksionere. Ai ndërtoi një parti kompani private. Tregoi se edhe gjatë 8 vjetëve të shkuara, nuk ka qenë Berisha ai që e ka penguar por, Basha si me Berishën si pa Berishën është i njejti dhe vepron identik, njejtë.

Sjellja pas rizgjedhjes qe shenja e fundit se ai ska ndërmend të punojë për opozitarët por vetëm për nënpunësit e tarafit të vet. Prandaj edhe opozitarët nuk kanë ndërmend të “punojnë” për të, nuk e konsiderojnë, nuk e përfillin, nuk e duan. Sepse shohin tek ai Andon Ledhin i cili fitonte konkursin e violinës se ishte djali i babit, nuk shohin tek ai burrin e përgjegjshëm e të pjekur, burrin që ofron siguri e stabilitet.

Le të shpresojmë se edhe sektet brenda të djathtës të dalin nga bodrumi i sektit dhe të pranojnë realitetin. Të mos vazhdojnë me justifikimet qyqare se sondazhet nuk janë të vërteta por ato bëhen për të goditur liderët e tyre. Pasi është qesharake: kur sondazhet e nxjerrin keq Ramën apo iu nxjerrin mirë liderin, sondazhet janë të mira. Kur sondazhet i nxjerrin keq liderin, të njejtat sondazhe bëhen nga armiku.

Continue Reading

OPINION

Problemi janë Veliajt e jo ambasadorët

Nga Genc Pollo

“Një mobilizim i madh në Tiranë e përtej do të duhet për këtë skandal të madh (5D i Veliajt). Pa persona të dhunshëm (si në 21 janarin e Ramës) por me vullnet e vendosmëri!” Me këto fjali e mbyllja shënimin im para një jave. Dje isha isha në mitingun e protestës para bashkisë, dëgjova nga distanca plasjet e shashkave e molotovëve e mbas pak tubimi përfundoi e turma u shpërnda. Sot po shoh se mediat e reagimet po fokusohen tek deklaratat e disa ambasadave të cilat apeluan kundër dhunës.

Protesta para bashkisë Tiranë është një kauzë jo thjesht e drejtë por edhe moralisht e pashmangshme. Nuk është një protestë antikorrupsion si të tjerat në kontekstin e banalizimit të megakorrupsionit nën pushtetin rilindist. Jo vetëm që kemi kryebashkiakun Veliaj nën hetim me urdhër gjykate për vepra penale të cilat janë direkt nën përgjegjësinë e tij; jo vetëm kemi të provuar gjyqësisht një shkallëzim fundor të korrupsionit ku ofiqari nuk kënaqet me rryshfet por merr 100% të fondit për vete duke kontraktuar kompaninë e tij.

Por 1: Kompanitë private të bashkisë kanë treguar një çnjerëzi ngjethëse: kanë zbuar dhjetëra familje nga banesat me sebepin se janë të dëmtuara nga tërmeti e duhet të shemben edhe kur teknikisht nuk ishte rasti. Kur familjarët kundërshtonin bashkia u priste ujin e dritat dhe i mësynte në banesë në orën tre të mëngjesit e i nxirrte përdhunshëm jashtë; madje edhe kur ishin me foshnje në krah. Shkaku ishte se tenderin e rindërtimit e kishte marrë kompania 5D.  Policia bashkiake ka ushtruar rregullisht dhunë të tepruar fizike kundër fshatarëve që shesin fruta-perime. Motivi nuk qenka trotuarët e pastër por “eliminimi i konkurrencës” mbasi shefat e policisë bashkiake kanë regjistruar një kompani fruta-perimesh dhe duan monopolin e tregut.

Por 2: Kryebashkiaku Veliaj nuk ka dhënë sqarime për këto por ka mbajtur monologje boshe para dy-tre “gazetarëve” që e dëgjojnë duke tundur kokën me aprovim. Veliaj bllokon në shkelje të ligjit një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak të kërkuar zyrtarisht nga këshilltarët e opozitës. Kur rilindistët në Kuvendin e Republikës i mohuan opozitës të drejtat ligjore kjo e fundit protestoi duke ndezur flakadanë e duke përmbysur karriget. Nuk ishte pamje estetike po kauza ishte e drejtë. Dhe vendosmëria e vullneti i opozitës parlamentare fituan dhe korrigjuan në tërësi padrejtësinë. Ky vullnet e kjo vendosmëri duhen edhe sot e në vijim derisa të korrigjohen padrejtësitë e Veliajt.

Vetëm se në Kuvend nuk u rrezikua jeta e shëndeti i askujt; po kështu duhet të veprohet edhe në sheshin para Bashkisë. Në video duken se dje  molotovët shpërthyen në flakë të mëdha që mund të kishin djegur policët e rreshtuar. Kjo është në parim e papranueshme. Aq më tepër kur oratorët theksojnë se “policia është me ne” dhe se e “vuan përbrenda hajdutërinë e bandës Veliaj”.

Ambasadat reaguan se duan stabilitetin e jo dhunën që sipas tyre mund të çojë në destabilizim. Mbase duan edhe demokracinë e shtetin ligjor në Shqipëri. Për këtë kanë investuar qindra milionë euro e dollarë me rezultat të diskutueshëm. Sidoqoftë zbulimi i korrupsionit të bandës 5D nuk do të  ishte i lehtë pa kapacitetet e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por ambasadat përfaqësojnë edhe interesa që nuk është e thënë që të jenë gjithmonë e plotësisht interesat e Shqipërisë. Mes tyre mund të ketë edhe McGonigalë ose cinikë.

Ndër deklaratat e djeshme spikaste njëra që i quante “vitale për demokracinë tubimet e protestat paqësore që kërkojnë veprim kundër korrupsionit” (ishte e ambasadës nga ku nuk priteshin këto fjalë).

Gjithësesi reagimi ndaj ambasadave ishte me tepri. Uroj të vijë ajo ditë kur të kuptojmë e pranojmë se të huajt mund të jenë dashamirës por nuk mund t’a duan Shqipërinë më shumë se shqiptarët.Dhe të shohim përgjegjësitë tona pa u marrë me të tjerët. Euforia ksenofile e vitit 90 që vazhdon ende në fakt ka prodhuar një infantilizim psikologjik të shoqërisë dhe ka zbehur sensin e përgjegjësisë për vendimmarrjet e vështira por pozitive.

Prandaj në shënjestër të protestës e veprimit politik lipset të jenë keqbërës si Veliaj and co dhe më pak ose aspak burokratët vizitorë.

Continue Reading

OPINION

Rregullimi shtetëror në rrezik sërish

Nga Shqiprim Pula

KONDOMINIUM apo CONDOMINIUMS
Sot, Komiteti LIBE i Parlamentit Europian, me shumicë votash ka përkrahur/votuar propozimin e eurodeputetit Slloven, Matjaž Nemec, për njohje shtetësie sipas parimit kondominium!.
Pse është problematik për ne Kondominiumi?
▪︎ Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë përkatësisht Drejtoria Koordinuese për Kosovën, lëshon dokumente/pasaporta për pakicën Serbe me vendbanime në Kosovë, të cilët konsiderohen sikur të jenë në Serbi.
▪︎ Parimi kondominium paraqet shtrirje të sovranitetit të dyfisht (në rastin tonë) të shtetit Serb mbi Kosovën, përkatësisht vendbanimet e caktuara mbrenda Kosovës.
▪︎ Ky parim, nuk paraqet shtrirje sovraniteti vetëm kundrejtë qytetarëve si persona fizik por edhe personave juridik e rrjedhimisht edhe ndaj pasurive të tyre.
Disa raste ndërkombëtare sipas kondominiumit
▪︎ Distrikti Bruksel si sovranitet i përbashkët ndërmjet Flanders dhe Wallonia, në Belgjikë
▪︎ Territori i Jeruzalemit si ndarje sovraniteti nga shteti Izraelit dhe Autoriteti Palestinez
▪︎ Ishulli i Gjibraltarit me pretendimin e sovranitetit të ndarë nga Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar
▪︎ Distrikti Brčko si sovranitet i përbashkët ndërmjet Bosnia e Herzegovina, Federata Bosnia e Herzegovina dhe Republika Srpska
▪︎ Hong Kongu si përpjekje (1983) që Kina t’a ruante sovranitetin por në anën tjetër Mbretëria e Bashkuar t’a ruante të drejtën e administrimit të territorit sipas parimit kondominiumit.
Elemente të dyshimta, europiane e ndërkombëtare, po e vënë në rrezik sërish të ardhmën tonë!
Duhet reagim.
Kërkohet kundërshtim.
Continue Reading
Advertisement

TRENDING