Connect with us

Aktualitet

HIJE DYSHIMI MBI 329 MILIONË LEKË/ DY RIVALË NË TENDER, POR ISH-ORTAKË?

Një tender i KESH për furnizimin dhe instalimin e një transformatori fuqie në HEC Koman, me fond limit 329,168,000 lekë pa TVSH, ngre pikëpyetje mbi konkurrencën mes dy ofertuesve.

Në procedurë rezultojnë vetëm dy konkurrentë: LA-OR dhe bashkimi SHANSI INVEST–EPES Group.

Fitues është shpallur bashkimi SHANSI INVEST–EPES Group, me ofertë 321,996,200 lekë pa TVSH.

Asnjë prej ofertuesve nuk rezulton i skualifikuar.

Por historia bëhet interesante kur shihen lidhjet e mëparshme mes njerëzve pas kompanive.

DY RIVALËT KANË NJË HISTORI TË PËRBASHKËT

Të dhënat historike të regjistrit tregtar për shoqërinë GOLDEN POWER tregojnë se Shpëtim Cinga dhe Laert Duro kanë qenë më parë ortakë në këtë kompani, secili me 33.33% të kapitalit.

Në vitin 2019, Laert Duro dhe Ylli Ndroqi shitën kuotat e tyre, ndërsa Shpëtim Cinga mbeti ortak i vetëm.

Laert Duro rezulton i lidhur me LA-OR, ndërsa Shpëtim Cinga me SHANSI INVEST.

Pra, njerëz që dikur kanë qenë ortakë në të njëjtën kompani, sot gjenden pas kompanive që dalin përballë njëra-tjetrës në një tender publik prej 329 milionë lekësh.

DIKUR BASHKË, SOT RIVALË

Dokumentet e prokurimeve tregojnë se SHANSI INVEST dhe LA-OR kanë marrë pjesë më parë edhe së bashku në kontrata publike.

Në vitin 2019, në procedurën për ndërtimin e nënstacionit 220/110/35 kV Shumat dhe traktit 220 kV në Komsi, kompanitë figuronin në të njëjtin bashkim operatorësh.

Edhe në një procedurë tjetër të KESH për transformator në HEC Koman, LA-OR dhe SHANSI INVEST rezultojnë të kenë qenë së bashku në bashkimin fitues.

Kjo nuk provon marrëveshje, manipulim apo shkelje të tenderit. Ish-ortakëria dhe bashkëpunimi në kontrata të mëparshme nuk i pengojnë automatikisht kompanitë të konkurrojnë kundër njëra-tjetrës.

Por kur bëhet fjalë për 329 milionë lekë para publike dhe vetëm dy oferta, marrëdhëniet historike mes konkurrentëve meritojnë transparencë.

SA E PAVARUR ISHTE GARA?

Duhet të hapen dy ofertat dhe të verifikohet çmimi i secilës, diferenca mes tyre dhe nëse ekzistojnë sot marrëdhënie tregtare apo kontraktuale mes kompanive.

Duhet parë gjithashtu sa herë SHANSI INVEST dhe LA-OR kanë konkurruar kundër njëra-tjetrës dhe sa herë kanë punuar së bashku në kontrata publike.

Sepse problemi nuk është që dy ish-ortakë konkurrojnë.

Pyetja është:

KUR VETËM DY KOMPANI GAROJNË PËR 329 MILIONË LEKË DHE PAS TYRE EKZISTON NJË HISTORI ORTAKËRIE E BASHKËPUNIMI, SA E PAVARUR KA QENË REALISHT GARA?

Dokumentet e ofertave mund ta japin përgjigjen.

 

Advertisement