Connect with us

Bota

IRANI HESHT, NUK KA NEGOCIATA ME AMERIKEN

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për programin bërthamor janë vendosur në pritje, ndërsa është shtyrë edhe vizita diplomatike e zëvendës presidentit amerikan JD Vance në Islamabad..
Sipas raportimit të New York Times, vendimi erdhi pasi Irani nuk i është përgjigjur qëndrimeve negociuese të paraqitura nga pala amerikane, duke bllokuar përkohësisht procesin diplomatik.
Vance pritej të nisej drejt Pakistanit për të marrë pjesë në raundin e ri të negociatave, që përkon edhe me skadimin e armëpushimit të brishtë mes dy vendeve. Megjithatë, pa një sinjal nga Teherani, udhëtimi është vënë në pritje, ndonëse nuk është anuluar plotësisht.
Zyrtarët amerikanë po kërkojnë garanci se negociatorët iranianë kanë mandat të plotë për të arritur një marrëveshje, ndërsa administrata e Donald Trump po shqyrton edhe opsione të tjera nëse dialogu dështon.
Sipas burimeve të NYT-së, Pentagoni vijon të analizojë skenarë të mundshëm ushtarakë, megjithëse një rikthim i menjëhershëm i sulmeve nuk konsiderohet i afërt. Ndërkohë, SHBA ka ruajtur praninë e saj të konsiderueshme ushtarake në Lindjen e Mesme.
Propozimi amerikan përfshin çështje kyçe si kufizimi i pasurimit të uraniumit nga Irani dhe menaxhimi i rezervave ekzistuese, ndërsa në këmbim mund të diskutohet edhe lirimi i një pjese të fondeve të ngrira nga sanksionet.
Ndërkohë, deklaratat publike të Trump kanë krijuar paqartësi për ecurinë e negociatave, pasi Irani ka kundërshtuar pretendimet se është arritur një marrëveshje paraprake.

Advertisement