Connect with us

Shkrime

Krismën Ramës do ia dëgjoni kur të takohet me Vuçiç

Nga Berat Buzhala

Të gjithëve na kujtohet një përplasje, gati fizike, e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, kur u takuan për herë të parë në Beograd. Pastaj mes tyre lindi një dashuri dhe pasion irracional…

Nëse e koncentrojmë fjalimin e Edi Ramës, përtej frazave të bukura, që duken të shkruara nga ndonjë këshilltar anglez, tri ishin arsyet për të cilat Kryeministri i Shqipërisë u ngjit dje në podiumin e Këshillit të Evropës ishin:

  1. Të flas si lider i Ballkanit
  2. Të ndihmojë Hashim Thaçin
  3. … Vuçiçin.

E kam parasysh që pas këtij fjalimi të gjatë dhe të shkruar bukur kishte entuziazëm në Kosovë. U duk që më në fund një shqiptar i bëri për pesë pare… Po kë? Kë bëri për pesë pare?

Fjalimet e bukura dhe të forta kur dalin prej gojës së liderëve të shteteve të korruptuara dhe të kapura, dalin qesharake. Madje dalin qesharake kur dalin prej gojës së kryeministrave të shteteve të vogla. Pikë. Nuk ka nevojë që të jenë të korruptuar. Prandaj, krejt cfarë kemi mësuar dhe kemi lexuar në histori janë fjalimet e fuqishme të Churchillit, Kennedit, Villi Brandit, De Gaulle, e nuk kemi lexuar a mësuar për ndonjë fjalim që drodhi botën dhe që ka dal prej gojës së kryeministrit të Sllovakisë, Moldavisë, Estonisë a Finlandës.

Rama, duke kaluar kohë të gjatë nëpër takime me Erdoganin, disi e sheh vetën lider të atyre përmasave.

Një pjesë të madhe të fjalimit të tij prej mbi 4000 fjalësh ai ia kushtoi lirisë dhe paqës. Krejt çfarë mungonte aty ishte edhe ndonjë mendim i mençur për kërcënimin nuklear të Rusisë. Pse jo? Hapësirën e kishte, e nuk i mungon as talenti për të interpretuar.

Por rreziku është tepër i madh, që nëse një i panjohur do të pyeste se “kush është ky burri i gjatë që po flet kaq bukur” ai do t’ia plaste gazit nga përgjigja, sepse ky burri është tash e 10 vjet kryeministër i një shteti ku shkalla e krimit dhe e korrupsionit është ndër më të lartat në botë, kurse të hyrat vjetore për kokë të banorit i kanë rreth 5 mijë dollarë. Në shtetin e tij ende nuk dihet nëse e kanë vrarë njëfar Vis Martinin apo është arratisur. Pastaj, nëse është vrarë, nuk dihet nëse e ka vrarë shteti, apo bandat rivale.

Fotografia e liderit të Ballkanit nuk do të duhej të dukej kështu. Rama e di çfarë është mirë e çfarë nuk është, por qëllimshëm është dorëzuar dhe nënshtruar në vendin e tij. Qëllimshëm i ka lakuar rregullat demokratike në favorin e tij dhe grupeve të interesit që ai i përfaqëson.

Do t’i vëja bast 10 euro që një pjesë të fjalimit, atë pjesën e parë, e ka shkuar ish këshilltari i Toni Blairit. Nuk ka asgjë të keqe, përveçse këshilla e tij ka porositur ka qënë: tregohu i kujdesshëm me Serbinë e sotme.

Gjatë gjithë fjalimit të tij Rama ka eci nëpër një tel të hollë. Ka folur për luftërat dhe krimet në Ballkan, duke u rezervuar maksimalisht që ta drejtojë gishtin akuzues te adresa e duhur dhe e vetme e këtyre krimeve: Serbia. Këtë mungesë të guximit e kompensonte duke goditur Putinin dhe Rusinë.

Rama ishte kirurgjikisht i kujdesshëm që ta kursente Serbinë e sotme prej çfarëdo analogjie me Rusinë, apo edhe me krimet që Serbia ka kryer në Kosovë. Kur foli për luftën në Kosovë ai tha se përgjegjës ishte “kasapi” Millosheviç.

Duhesh të jesh tepër tolerant dhe shpërfillës ndaj fakteve dhe ndaj historisë për të arritur në këtë konstatim. Serbia, përveç që ka Presidentin e vendit të përfshirë direkt në krime të luftës në Kosovë, ministër të Punëve të Brendshme ka Aleksandër Vulinin, një fashist dhe racist të ndyrë. Ta quash Vulinin qoftë edhe vetëm si pro-rus, është shfajësim për të. Vulin është shumë më shumë se sa vetëm aq. E gjithë nomenklatura politike e Serbisë së sotshme i ka rrënjët në Serbinë e djeshme.

Pastaj, të thuash që Millosheviç e kishte pushtuar karrigen e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, është, në rastin më të mirë mungesë totale e njohjes së realitetit në Ballkan në vitet 90’, kurse në rastin më të keq tendencë për të shtrëmbëruar qëllimshëm historinë në dëm të shqiptarëve.

Millosheviç kurrë nuk e ka pushtuar atë karrige. Ajo karrige i është dhënë atij me zgjedhje, me referendum dhe me pajtim të plotë të popullit serb. Sot e kësaj dite, askush që është në pushtet në Serbi, nuk thotë asnjë fjalë të keqe për të. Vuçiç pati deklaruar që Millosheviç kishte gabuar taktikisht, sepse koha nuk kishte qënë e favorshme për Serbinë, por assesi nuk kishte gabuar në qëllimet që kishte pasur.

Mos të harrojmë, Kisha Ortodokse e Serbisë, që është shtet paralel në Serbi, që në segmente të caktuara është më e fuqishme se sa vetë qeveria, dje bekoi njërin prej kriminelëve më famëkeq të Serbisë, Vladimir Lazareviçin, i dënuar nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë. Unë e kuptoj dëshirën, le të themi deri diku beninje të Ramës, për ta afruar Serbinë me BE, por minimalisht, një përpjekje e tillë është naive.

Rama goditi Serbinë me një grusht pambuku edhe kur foli për Tribunalin Special. Si nëpër dhëmbë Rama tha që prokurorët dhe diplomatët janë mburrur me raportin e Dick Marty’it si dhe e kanë furnizuar me dokumentacion prokurorinë e Tribunalit Special, por ndërkohë nuk kishte përfshirë në këtë fjalim një gjë tepër të rëndësishme: Shteti i Zvicrës ka deklaruar zyrtarisht se shërbimi sekret serb ka dashur të vrasë senatorin zviceran. Për këtë ka folur edhe vetë senatori Marty. Denoncimi me fakte, i këtij plani, në Këshill të Evropës do të ishte shumë më i fuqishëm se sa të flitej në mënyrë të vagullt për disa diplomatë serbë që mburren, a se prokuroria serbe i paska dhënë dokumente prokurorisë së Tribunalit Special.

Ramës i mungonte dëshira për ta tejkaluar ambicien e tij të një ‘lideri ballkanik”. Rama e di që ëndërra e tij për një udhëheqës të këtij rajoni mund të realizohet vetëm në bashkëpunim me Presidentin e Serbisë, prandaj kujdesej që ta kursej atë.

Nuk do ta merrja mundin që t’ia analizoja Ramës këtë fjalim, nqs reagimet në Kosovë të mos kishin qënë kaq ekzaltuese. Më duhet t’ua thyej zemrat të gjithë atyre që e ngritën në qiell kryeministrin e Shqipërisë, duke u thënë që Rama nuk u mor me fakte, por me letërsi.

Pjesën më të madhe të fjalimit të Ramës, në masë pothuajse 95 përqind, do t’ia kishte aprovuar edhe vetë Aleksandër Vuciç. Dikush do të mund të thoshte se kjo nuk është e mundur, sepse Rama foli edhe për Kosovën e pavarur, madje bëri thirrje që Kosova të quhet “Kosovë”. Nëse dikush ende i gëzohet këtij fakti, që një kryeministër i Shqipërisë e mbron Kosovën në arenën ndërkombëtare, atëherë këto janë pritje minimale për një shqiptar mesatar, e lërë më për një udhëheqës të lartë politik, që tek e fundit e ka edhe obligim kushtetues që ta bëjë këtë gjë.

Rama është mjaftueshëm i zgjuar sa këtë ta bëjë në mënyrë artistike, sepse e kishte plotësisht të qartë se për çfarë audience po fliste. Lojërat e tij të fjalëve për Kosovën shtet të pavarur ishin shumë më të parëndësishme se sa mungesa serioze e denoncimit të Serbisë. Por Rama e di që këto janë nuanca që luajnë rol tek shqiptarët.

Mua personalisht nuk më ka entuzizmuar Edi Rama as atë herën e parë kur u përplas me Vuçiçin në Beograd, e as tani në Këshill të Evropës. Këto janë më shumë performanca teatrale se sa pozicionime serioze politike.

Unë nuk mendoj që Shqipëria duhet t’i shpallë luftë Serbisë, por gjithashtu as nuk mendoj që flirti i Ramës me Vuçiçin është në interes të ndonjëfarë kauze kombëtare.

Lavdia e Edi Ramës do të zgjas shumë. Në takimin e radhës me presidentin e Serbisë, do ta kuptojmë çmimin e fjalimit të tij në Strasburg.

 

Shkrime

8 orët e ankthit të Erion Veliajt në SPAK

Nga Klodiana Lala

Sytë e shqiptarëve mëngjesin e 30 prillit ishin drejtuar nga SPAK.

Pardje ishte radha e Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, të futej në godinën e xhamtë – në dyert e së cilës po hyjnë e dalin profile të larta të politikës, të dyshuar për përfshirje në akte korruptive e lidhje me krimin e organizuar.

Në ditën e shpalljes së datës së parashikuar për paraqitjen në frontin e drejtësisë, Erjon Veliaj, nuk mundi ta fshehë pasigurinë që i kishte kapluar zemrën.

Profili i tij, njëherazi kryetari i qytetit dhe personi i dyshuar për vepra të dyshimta, ishte një bashkëveprim i çuditshëm që e përshkallëzonte ankthin e tij.

Me zell, qytetari i parë i Tiranës, i cili kishte propaganduar se do të paraqitej vullnetarisht në Prokurorinë e Posaçme, mbërriti një orë përpara orarit të caktuar në urdhrin e firmosur nga Dritan Prençi.

Si për të dëshmuar, se ishte aty për shkak të vullnetit të tij, e jo një urdhri të detyrueshëm, që e paralajmëronte që nëse se zbatonte do ta shoqëronin me oficerë të Policisë Gjyqësore.

Orët në vijim, rrëzuan propagandën e kryebashkiakut të 1 milionë pemëve të mbjella në Tiranë, në një kohë që vetëm pemë që nuk shihen.

Teksa kapërcente rrethimin e jashtëm të SPAK, në shoqërinë e drejtorit Juridik të Bashkisë, Alban Dokushi dhe një përfaqësuesi të medias, Veliaj pati përplasjen e parë me disa qytetarë e deputetë të Rithemelimit.

“S’kemi as ujë, as asgjë” – dëgjohet të thotë një qytetar.

“Kërkoja Fariut me 100 mijë euro makinë”, u përgjigj Veliaj.

“Hajdut, kriminel, e ke vendin në burg”, vijuan mbështetësit e Rithemelimit.

Surpriza jo e këndshëm për Veliajn erdhi shpejt.

“Kolegët” siç i quante ai prokurorët e Posaçëm, u informuan nga punonjësit e Gardës, se kryebashkiaku kishte mbërritur.

“Të presë – u përgjigjën ata – ka ardhur para orarit”.

Veliaj mbeti peng i propagandës së vet.

I pafuqishëm për të dalë prej andej nga breshëria e pyetjeve të gazetarëve, zgjodhi të qëndronte në hollin prej 2 metrash të SPAK.

I ulur aty, në një platformë, as karrige as tavolinë, ku gardistët mbajnë regjistrin e hyrjeve daljeve.

Pranë tij, qëndronin dy prej pjesëtarëve të stafit.

Plot 45 minuta, Veliaj qëndroi në heshtje. Kuptohej që nuk kishte zgjidhje tjetër.

Koha në pritje ishte si një burg i padukshëm, ku çdo sekondë dukej e pafund.

Në atë godinë të ftohtë dhe të papërshtatshme për një politikan, ai ndihej si një i burgosur në kërkim të lirisë së humbur.

Ora shënonte 09:47 minuta, kur u lejua të ngjitej në godinë, pasi kaloi procedurat e kontrollit.

Çastet në vijim, ishin orë ankthi për Veliajn, teksa i përgjigjej oficerit të BKH-së.

Në momentin e parë të kryqëzimit të syve me prokurorët e ashpër, qëndrimi i tij ishte i palëvizshëm, sikur të kishte përfunduar në një sallë gjykimi të pamëshirshme.

Pyetjet e tyre, të cilat binin si shpatulla e një ushtari të vështirë, e lënë atë të ndihej i vetmuar në një det akuzash dhe dyshimesh.

Për ndershmëri profesionale, shumë detaje të mësuara, nga shtatë orët e qëndrimit të tij në SPAK, po kursehem të mos i bëj publike, për të mos i dhënë shkas z.Veliaj të nisë sulme në adresën time me emër, siç rëndom dhe në mënyrë të paprecedentë po bën në drejtim të shumë kolegëve të tjerë.

Burime konfirmojnë se pyetjet ishin të shumta, për të sqaruar rolin e tij në aferën e djegësit të Tiranës.

Që nga studimi i IFC-së, që në thelb sipas SPAK, i hapi rrugë partneritetit publik privat për trajtimin e mbetjeve, te dyshimet e marrjes së kompetencave të këshillit të qarkut, marrëveshjes së dherave, e deri te pyetje që lidhen me njohjen e tij me bosët e inceneratorëve, Mërtiri e Zoto, tashmë në arrati.

Bashkudhëtar të Erion Veliajt në këtë vuajtje të tij, ishim dhe “trimat” e IKMT-së, që dalloheshin lehtësisht nga tatuazhet, veshja e tyre, apo edhe mënyra sesi përçmonin gazetarët.

Fshehtas fotografoheshin gazetarët që raportonin, e kjo u shndërrua në temë debati mes vartësve të Veliajt dhe disa prej kolegëve. Njëra prej tyre dhe unë.

Dalja e tij nga SPAK, na dëshmoi se Erion Veliaj ka frikë nga mediat.

Ai ndjehet komod vetëm kur e filmojnë vartësit. Kur është e ndezur vetëm regjia e tij e propagandës.

Pasi la godinën, priti mbase 2 apo 3 minuta, dhe u shfaq përballë kamerave. Nuk mori asnjë pyetje.

Në këtë stërvitje të vështirë, ai ndiente presionin që vinte nga të gjitha anët, duke u përballur jo vetëm me akuzat, por edhe me sytë e shqetësuar të gazetarëve të cilët prisnin të godisnin sa më thellë në historinë e tij të errët.

Sërish këmbënguli se shkoi me vullnet në SPAK.

I cilësoi hetuesit e BKH-së si kolegë profesionistë. Ndërsa tha se ishte aty si bashkëpunëtor i tyre (uroj të ketë statusin e të penduarit).

Herë pas here, ai ndjente se po bëhej një pjesë e një dramë më të madhe se vetvetja. Në çdo heshtje, në çdo fjalë që lëvizte nga buzët e tij, ai kishte përballë veten me një rrugë të mbyllur dhe një të ardhme të paqartë.

Pastaj me vrap e në makinë.

Fluturoi drejt mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Prej andej, me një mllef të jashtëzakonshëm dhe për faktin se askush se kundërshtonte dot, hodhi vrer ndaj gjithkujt që mundi. Përfshirë dhe medias!

Përpjekjet e tij për të mbajtur pamjen e një lideri të palëkundur, ndërsa shkrihej brenda, ishin si përpjekja e një artisti për të ruajtur vlerën e një vepre të rrallë ndërsa ajo po digjej përpara syve të tij.

Në fund të ditës, ai e kuptoi se lufta ishte e humbur dhe se përballja e vështirë ishte vetëm fillimi i një ngjarjeje më të madhe, e cila do të vazhdonte të përshkallëzohej nëpër faqe të tjera të historisë së tij.

Continue Reading

Shkrime

Unë si dëshmitar i përplasjes së Batonit me Lalin

Nga Andi Bushati

Përplasja e fundit mes Baton Haxhiut dhe Erion Veliajt më ndriçoi në mënyrë të papritur një nga enigmat që më mundonte prej kaq kohësh, atë se pse në bashkinë e Tiranës kanë vjedhur kaq trashë. Unë isha, në një farë mënyre, dëshmitar i “sherrit”. Ose, më mirë të thuash, rastësisht prezent, në vendin ku ai nisi. Gjendeshim në studion e Çim Pekës. Tema e diskutimit ishte thirrja në SPAK e Veliajt dhe skandali i “5D”, drejtorëve të bashkisë që akuzohen se ngritën një kompani private, për të grabitur paratë publike që tenderonin me firmën e tyre.

Ashtu sikurse ndodh rëndom në debatet tona, mbështetësit e qeverisë ishin përballë nesh, kritikëve të saj. Pyetja që u shtrua ishte: Qoftë dhe moralisht, pas skandaleve të zbuluara, a duhet të jepte Veliaj dorëheqjen. Me shumë vështirësi, duke dredhuar disa hërë, kolegu Lorenc Vangjeli, tha më në fund, me gjysëm zëri, se ai duhet të respektonte mandatin e atyre që e kanë votuar majin e shkuar.

Edhe Baton Haxhiu tentoi të mos përgjigjej, provoi të rëshkasë dhe më në fund, si pa shumë dëshirë, gjeti një formë elegante për të mos u bërë njësh me hajdutët: “Në kushte të tilla unë do të jepja dorëheqjen”, guxoi të thotë. As nuk e akuzoi Erionin si vjedhës, as tha e meriton burgun, as pretendoi se ka prova kundër tij. Madje, madje, as i kërkoi që të ikte. Këtë e la thjeshtë në moralin e tij. Dhe ky qe krimi i madh që bëri.

Të nesërmen e emisionit, të njëjtën ditë kur Veliaj duhet të shkonte në SPAK, portretin e Batonit e pashë në një fotomontazh të shpërndarë nga propogandistët e bashkisë, ku bashkë me mua dhe të tjerë, renditeshin armiqtë e Lalit. Kur doli nga Prokuroria e Posaçme, Veliaj e futi edhe Haxhiun në listën e “llumit”, “interesaxhijve”, “maskarenjve”, të cilën e kishte përpiluar vetë. Dhe pse? Pasi siç shpjegoi, kishte parë një natë më parë debatet politike. Pikërisht atë ku Batoni nuk e konsideroi dorëheqjen si një sakrilegj.

Pyetja që më lindi teksa ndiqja këtë dalldi ishte: a i interesonte ish kreut të 99-shave, ky reagim kaq asimetrik, në këtë moment? A i voliste të hapte një konflikt me një gazetar që njihet si mbështetës i forcës së tij politike dhe i kryeministrit Rama? A nuk përçonte kjo mesazhin se ai po braktiset edhe nga krahu i tij? A nuk i rikujtonte kjo njerëzve faktin se, që kur i kanë rënë në burg drejtorët, askush nga ish përkrahësit publikë, nuk përbetohet më me zë të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin, apo zotësinë e Lalit?

Pra, qoftë edhe taktikisht, nëse do të kishte konsultuar një specialist të vërtetë mardhëniesh publike, ai do ti’a kishte shkëshilluar Veliajt konfiktin me Batonin. Jo thjeshtë sepse ky nuk bëri ndonjë herezi, por sepse atij vetë nuk i interesonte. Po ashtu, ai me siguri nuk do ti kishte rekomanduar ndërprerjen e quravitjes qesharake kundër emisioneve politike, ndërkohë që ai kontrollon mbi 90% të audiencës televizive. Mbi të gjitha do ta porosiste që të mos krijonte armiq të rinj, tani që është me një këmbë në varr.

Por, Veliaj ndoqi rrugën e kundërt. Ai prodhoi një zinxhir gafash që iu kthyen në boomerang, fiks ashtu siç bëri kur u përpoq të manipulonte me fletëthirrjen nga SPAK. Tha se do të shkonte vetë, por i botuan dokumentin e kërkesës së prokurorëve. Nxitoi të paraqitej dy orë përpara kohës së paracaktuar, për të mos u kapur nga kamerat e reporterëve, por ato e fiksuan duke pritur i shpërfillur te vendi i dezhurnit të prokurorisë. I trajtoi miqësisht si kolegë ata që do e pyesinin, por të njëjtët nuk e lëshuan për plot tetë orë.

Po çfarë i bën bashkë dy gjëra që duken kaq të largëta: incidentin me Batonin dhe përpjekjen për të manipuluar me fletëthirrjen e SPAK-ut? Ajo është një e vetme: lëhtësia e padurueshme për tu sjellë si një fëmijë i parritur. Përpjekja për të gënjyer duke përdorur marifete të një nxënësi filloreje. Veprime të pakuptimta që kthehen në boomerang.

Kjo është në fakt një karakteristikë e mbarë bandës së bashkisë.

Vetëm kur e sheh se sa të lehtë, naivë, çiliminj janë në komunikimin publik, në mënyrën si prodhojnë konfliktet dhe reken të manipulojnë debatin, e ke më të kollajshme për të kuptuar se me po të njëjtën mënyrë idiote dhe debile kanë tentuar të na vjedhin. E bënë pa u lodhur fare, duke ngritur një firmë të tyre, për ti kaluar direkt paratë e buxhetit të bashkisë.

Këtu qëndron, në të vërtetë, veçantia e Lalit dhe enturazhit të tij, ajo e njerëzve bazikë, me 200 fjalë fjalor, që tregëtojnë gënjeshtra të trasha dhe që grabisin pa qenë në gjendje të fshehin as gjurmët. Ata i vërsulen Batonit, me të njëjtën shpërfillje mendjelehtë si arkës së shtetit. Ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se, qoftë dhe për të qenë manipulator apo hajdut, duhet një lloj talenti. Për fatkeqësinë e tyre ata kanë qenë të bindur se e kishin me bollëk atë. Pushteti i madh që i’u ra në krye si dhuratë, çantat e zeza që u dërgonin pronarëve të TV-ve, i yshtën ti besonin projektimit fallco të vetes, në kronikat e gatshme që dërgonin në ekrane. Ata imponuan fabulën e një qyteti më të gjelbëruar duke ngritur kulla, e një Tirane më të pastër duke vjedhur me inceneratorin, e një ajri më të përmirësuar duke zhdukur matjen e tij. Ata i ngjanin atyre grave të dëshpëruara, që pasi janë rindërtuar nga kirurgu plastik, fillojnë e imagjinojnë se ashtu i ka pjellë nëna. Ky vetëbesim i bëri edhe më arrogantë edhe më mendjelehtë, aq sa arritën deri këtu.

Pikërisht në këtë rrugë po vijojnë edhe tani, duke tërhequr përmes sherreve të kota vëmendjen tek vetja dhe duke harruar instiktin e gjithë mëkatarëve, që presin në heshtje të qetësohet fortuna, me shpresën se me kalimin e saj edhe mund të harrohen. Jo. Veliaj dhe banda e tij vazhdojnë naivisht të shpikin armiq, duke mbetur në qendër të vëmendjes dhe duke ia hequr edhe një SPAK-u që reket ti amnistojë, mundësinë për të mos u marrë me ta.

I tillë qe dhe sherri në fillimin e të cilit qëllova prezent dhe unë. Lali krijoi një përplasje pa shkak dhe të panevojshme, pa u merakosur që kështu mund të forconte, më kot, perceptimin se po sulmohet edhe nga krahu i Ramës. As këtë herë ai nuk e humbi rastin për t’u treguar halldup në komunikim, njësoj si në grabitje.

Continue Reading

Shkrime

Amnistia që vulosi pazarin

Nga Desada Metaj

Rikthimit në normalitet i punimeve të kuvendit të Shqipërisë i parapriu një marrveshje që PS dhe Rithemelimi u përpoqën ta mbajnë të fshehtë dhe ta bëjnë të duket një dakordësi mes dy forcave politike. Në fakt, ky do kishte qenë dhe akti më normal mes dy faktorëve politikë që kanë kundërshti por duan më të mirën për vendin dhe qytetarët që përfaqësojnë. Por nuk është ky rasti. Sepse qeverisja e 11 viteve ështe në degradim e sipër dhe pjesa opozitare e Sali Berishës ka për qëllim veç ta mbajë këtë të fundit gjallë politikisht. Jo më kot vitet e fundit dozat për “bashkëpunim me regjimin” dhe tradhtarët që Berisha zbulon janë të gjitha në funksion të halleve të Foltores së tij. Kështu ndodhi dhe me rikthimin në parlament të normalitetit,çmimi i të cilit ishte një tjetër copë rrënimi nga morali i opozitës së përfaqësuar nga Sali Berisha.

Le ti marrim me radhë.

Një nga kushtet e marrveshjes ishte krijimi i komisioneve hetimore parlamentare. Dy të tillë u krijuan sa hap e mbyll sytë por pas dy muajsh, i vetmi produkt i tyre kanë qenë lajmet për sherre dhe batuta bajate mes deputetëve. Pa harruar që me vetëdije të plotë, Albana Vokshi si kryetare e komisionit hetimor për koncencionet në shëndetësi hoqi nga objekti i hetimit 2 koncencionet e Spitalit Amerikan. Amnistimi i Klodian Allajbeut u erdhi për mbarë dhe socialistëve e ndërkohë, objekt i këtij komisioni ka degraduar në sherrin banal mes deputetëve. Asnjë fakt, asnjë dokument dhe asnjë dëshmi nuk është publikuar ende pas dy muajsh kur ndërkohë milionat e abuzimit janë të dukshme dhe me sy të lirë. I ngjashëm duket dhe fati i komisionit hetimor për sistemin Tims. Ku objekti dhe serioziteti i hetimit nuk varet nga hetimi i hryje daljeve në Tims por nga hyrje daljet e Salianjit në sallën e Gjykatës së Apelit ku pritet të jepet vendimi për të.

Një tjetër pikë e marrveshjes mes PS dhe Foltores ishte dhe amnistia. Ajo u paketua shpejt e shpejt nga Gaz Bardhi dhe Ulsi Manja që të cilët nxituan të deklaronin se nga amnistia do të përjashtoheshin zyrtarët e korruptuar me vendim nga Gjykata e Posaçme. Por vetëm pak ditë më vonë rrjeti i gazetarëve INA në një shkrim të publikuar konfirmoi zyrtarisht nga Spak se janë me dhjetra ish zyrtarë të dënuar për korrupsion që kanë përfituar nga amnistia. Dhe jo më larg se dje i pyetur nga BIRN mbi lirimin e zyrtarëve dhe magjistratëve të korruptuar, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk komentoi. Ajo që do mbahet mend nga amnistia Bardhi- Manja do jetë lirimi i një banditi dhe ndalimi i tij të nesërmen me urgjencë si “gabim” mes rreshtave.

E fundit pikë e marrveshjes mes PS dhe Foltores dhe që ktheu normalitetin në kuvend ishte ajo për komisionin e reformës zgjedhore. Por për këtë as ja vlen të zgjatesh sepse 1 vit para procesit elektoral edhe me naivi e kupton që nuk mund të ndërrohen rregullat e lojës. Për më tepër që Ramës, ky kod dhe këto rregulla i vijnë për shtat sepse i ka bërë siç i duhen. E vetmja arritje e kësaj pike të marrveshjes ishte që Oerd Bylykbashit iu gjet hapësirë për të folur në media meqë protagonizmi i Gaz Bardhit e kishte lënë në hije.

Pra në fund, ajo që duket është se marrveshja e rikthimit në normalitet të parlamentit në të gjithë pikat e saj e ka dëshmuar se ishte thjesht një pazar i lyer me ngjyra revolucioni, boja e të cikit zgjati vetëm pak javë. Ajo tregoi dhe njëherë se morali i munguar i opozitës është forca që e kalon Ramën gjithmonë në avantazh. Sepse problemi nuk qëndron tek marrveshja por tek baza mbi të cilat ajo ndërtohet, pritshmëritë dhe projektimi për të ardhmen. E nëse marrveshjet bëhen për të krijuar një mur të ri mbrojtës për ca të korruptuar të tjerë (ndoshta më të vegjël) apo për lojra meskine të politikës së ditës rezultati do të jetë ky që kemi sot. Shumë zhurmë, pak revolucion dhe aspak opozitë cilësore!

Continue Reading

OPINION

Dëshmitar i sherrit/ Përplasje Veliaj-Baton: Jep dorëheqjen

Nga Andi Bushati

Përplasja e fundit mes Baton Haxhiut dhe Erion Veliajt më ndriçoi në mënyrë të papritur një nga enigmat që më mundonte prej kaq kohësh, atë se pse në bashkinë e Tiranës kanë vjedhur kaq trashë. Unë isha, në një farë mënyre, dëshmitar i “sherrit”. Ose, më mirë të thuash, rastësisht prezent, në vendin ku ai nisi. Gjendeshim në studion e Çim Pekës. Tema e diskutimit ishte thirrja në SPAK e Veliajt dhe skandali i “5D”, drejtorëve të bashkisë që akuzohen se ngritën një kompani private, për të grabitur paratë publike që tenderonin me firmën e tyre.

Ashtu sikurse ndodh rëndom në debatet tona, mbështetësit e qeverisë ishin përballë nesh, kritikëve të saj. Pyetja që u shtrua ishte: Qoftë dhe moralisht, pas skandaleve të zbuluara, a duhet të jepte Veliaj dorëheqjen. Me shumë vështirësi, duke dredhuar disa hërë, kolegu Lorenc Vangjeli, tha më në fund, me gjysëm zëri, se ai duhet të respektonte mandatin e atyre që e kanë votuar majin e shkuar.

Edhe Baton Haxhiu tentoi të mos përgjigjej, provoi të rëshkasë dhe më në fund, si pa shumë dëshirë, gjeti një formë elegante për të mos u bërë njësh me hajdutët: “Në kushte të tilla unë do të jepja dorëheqjen”, guxoi të thotë. As nuk e akuzoi Erionin si vjedhës, as tha e meriton burgun, as pretendoi se ka prova kundër tij. Madje, madje, as i kërkoi që të ikte. Këtë e la thjeshtë në moralin e tij. Dhe ky qe krimi i madh që bëri.

Të nesërmen e emisionit, të njëjtën ditë kur Veliaj duhet të shkonte në SPAK, portretin e Batonit e pashë në një fotomontazh të shpërndarë nga propogandistët e bashkisë, ku bashkë me mua dhe të tjerë, renditeshin armiqtë e Lalit. Kur doli nga Prokuroria e Posaçme, Veliaj e futi edhe Haxhiun në listën e “llumit”, “interesaxhijve”, “maskarenjve”, të cilën e kishte përpiluar vetë. Dhe pse? Pasi siç shpjegoi, kishte parë një natë më parë debatet politike. Pikërisht atë ku Batoni nuk e konsideroi dorëheqjen si një sakrilegj.

Pyetja që më lindi teksa ndiqja këtë dalldi ishte: a i interesonte ish kreut të 99-shave, ky reagim kaq asimetrik, në këtë moment? A i voliste të hapte një konflikt me një gazetar që njihet si mbështetës i forcës së tij politike dhe i kryeministrit Rama? A nuk përçonte kjo mesazhin se ai po braktiset edhe nga krahu i tij? A nuk i rikujtonte kjo njerëzve faktin se, që kur i kanë rënë në burg drejtorët, askush nga ish përkrahësit publikë, nuk përbetohet më me zë të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin, apo zotësinë e Lalit?

Pra, qoftë edhe taktikisht, nëse do të kishte konsultuar një specialist të vërtetë mardhëniesh publike, ai do ti’a kishte shkëshilluar Veliajt konfiktin me Batonin. Jo thjeshtë sepse ky nuk bëri ndonjë herezi, por sepse atij vetë nuk i interesonte. Po ashtu, ai me siguri nuk do ti kishte rekomanduar ndërprerjen e quravitjes qesharake kundër emisioneve politike, ndërkohë që ai kontrollon mbi 90% të audiencës televizive. Mbi të gjitha do ta porosiste që të mos krijonte armiq të rinj, tani që është me një këmbë në varr.

Por, Veliaj ndoqi rrugën e kundërt. Ai prodhoi një zinxhir gafash që iu kthyen në boomerang, fiks ashtu siç bëri kur u përpoq të manipulonte me fletëthirrjen nga SPAK. Tha se do të shkonte vetë, por i botuan dokumentin e kërkesës së prokurorëve. Nxitoi të paraqitej dy orë përpara kohës së paracaktuar, për të mos u kapur nga kamerat e reporterëve, por ato e fiksuan duke pritur i shpërfillur te vendi i dezhurnit të prokurorisë. I trajtoi miqësisht si kolegë ata që do e pyesinin, por të njëjtët nuk e lëshuan për plot tetë orë.

Po çfarë i bën bashkë dy gjëra që duken kaq të largëta: incidentin me Batonin dhe përpjekjen për të manipuluar me fletëthirrjen e SPAK-ut? Ajo është një e vetme: lëhtësia e padurueshme për tu sjellë si një fëmijë i parritur. Përpjekja për të gënjyer duke përdorur marifete të një nxënësi filloreje. Veprime të pakuptimta që kthehen në boomerang.

Kjo është në fakt një karakteristikë e mbarë bandës së bashkisë.

Vetëm kur e sheh se sa të lehtë, naivë, çiliminj janë në komunikimin publik, në mënyrën si prodhojnë konfliktet dhe reken të manipulojnë debatin, e ke më të kollajshme për të kuptuar se me po të njëjtën mënyrë idiote dhe debile kanë tentuar të na vjedhin. E bënë pa u lodhur fare, duke ngritur një firmë të tyre, për ti kaluar direkt paratë e buxhetit të bashkisë.

Këtu qëndron, në të vërtetë, veçantia e Lalit dhe enturazhit të tij, ajo e njerëzve bazikë, me 200 fjalë fjalor, që tregëtojnë gënjeshtra të trasha dhe që grabisin pa qenë në gjendje të fshehin as gjurmët. Ata i vërsulen Batonit, me të njëjtën shpërfillje mendjelehtë si arkës së shtetit. Ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se, qoftë dhe për të qenë manipulator apo hajdut, duhet një lloj talenti. Për fatkeqësinë e tyre ata kanë qenë të bindur se e kishin me bollëk atë. Pushteti i madh që i’u ra në krye si dhuratë, çantat e zeza që u dërgonin pronarëve të TV-ve, i yshtën ti besonin projektimit fallco të vetes, në kronikat e gatshme që dërgonin në ekrane. Ata imponuan fabulën e një qyteti më të gjelbëruar duke ngritur kulla, e një Tirane më të pastër duke vjedhur me inceneratorin, e një ajri më të përmirësuar duke zhdukur matjen e tij. Ata i ngjanin atyre grave të dëshpëruara, që pasi janë rindërtuar nga kirurgu plastik, fillojnë e imagjinojnë se ashtu i ka pjellë nëna. Ky vetëbesim i bëri edhe më arrogantë edhe më mendjelehtë, aq sa arritën deri këtu.

Pikërisht në këtë rrugë po vijojnë edhe tani, duke tërhequr përmes sherreve të kota vëmendjen tek vetja dhe duke harruar instiktin e gjithë mëkatarëve, që presin në heshtje të qetësohet fortuna, me shpresën se me kalimin e saj edhe mund të harrohen. Jo. Veliaj dhe banda e tij vazhdojnë naivisht të shpikin armiq, duke mbetur në qendër të vëmendjes dhe duke ia hequr edhe një SPAK-u që reket ti amnistojë, mundësinë për të mos u marrë me ta.

I tillë qe dhe sherri në fillimin e të cilit qëllova prezent dhe unë. Lali krijoi një përplasje pa shkak dhe të panevojshme, pa u merakosur që kështu mund të forconte, më kot, perceptimin se po sulmohet edhe nga krahu i Ramës. As këtë herë ai nuk e humbi rastin për t’u treguar halldup në komunikim, njësoj si në grabitje.

/Lapsi

Continue Reading

Shkrime

SHBA kërkon kokën e Vulin, familja mafioze ngre qeverinë

Mbledhja e fundit e Qeverisë së Serbisë solli një rikthim të madh. Aleksandër Vulin non grata merr postin e zv/kryeministrit.

Pavarësisht sanksioneve të SHBA-së për përfshirje të dyshuar në krim transnacional, operacione të paligjshme të narkotikëve, korrupsion dhe zgjerim të ndikimit rus në Ballkan, ish kreu i shërbimit sekret kësaj radhe nuk ka marrë ndonjë departament, por postin e zëvendëspresidentit dhe sipas informacioneve jozyrtare, ai do të ketë përgjegjësi që lidhen me industrinë e përkushtuar.

Vulin, një mik i mirë i presidentit Aleksandër Vuçiç, ishte jashtë detyrës vetëm për gjashtë muaj. Ai dha dorëheqjen si drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit më 3 nëntor 2023.

Në deklaratën që ai dha për këtë atë rast, falënderoi presidentin serb për “mundësinë për të mbrojtur serbët dhe Serbinë” dhe ka kërkuar që Vuçiç të mbetet “president i të gjithë serbëve”.

“Presidenti ynë dhe Serbia po përballen me kërcënime dhe shantazhe që mund të krahasohen vetëm me ultimatumin austro-hungarez të vitit 1914. Na kërkohet të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Srpska dhe të mos jemi vend dhe komb sovran duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Nëse do të pranonin ta bënin këtë, kërkesa e radhës do të ishte dëbimi i investimeve kineze, varësia e pakushtëzuar teknologjike dhe ekonomike nga perëndimi, si dhe vazhdimi i shpërbërjes politike dhe territoriale të Serbisë dhe pranimi i vlerave perëndimore në të cilat nuk ka vend për familjen dhe kombin tradicional dhe në fund të fundit për drejtësinë sociale” – pati deklaruar atë kohë Vulin i cili gjithashtu nuk harroi të akuzonte SHBA-në dhe BE-në se “kërkonin kokën e tij” si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë.

“Për të mos u shqetësuar për Republikën Srpska dhe mbijetesën e saj dhe për të mos besuar në pashmangshmërinë e bashkimit të serbëve dhe krijimin e botës serbe, unë refuzoj të heq dorë nga politika e neutralitetit ushtarak dhe vëllazërisë me Rusinë dhe Kinën.

Kjo është një fitore e vogël për SHBA-në dhe BE-në, por edhe një fitore e madhe për mua sepse dëshmova se për Serbinë dhe popullin serb ia vlen çdo sakrificë”- kishte theksuar Vulin.

Ambasada amerikane njoftoi menjëherë atë kohë se nuk kishin asnjë rol në vendimet e personelit të autoriteteve serbe”.

“Pozicioni ynë për zotin Vulin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet e SHBA. Mezi presim të vazhdojmë të thellojmë partneritetin tonë me Serbinë në rrugën drejt integrimit të saj të plotë në Evropë dhe komunitetin euroatlantik” – thuhej në reagim.

Gjatë kohës që Vulin ishte në krye të BIA-s serbe, mbahen mend për shumë skandale por “Ndoshta dështimi i tij më i madh dhe në të njëjtën kohë arsyeja e vërtetë e dorëheqjes së tij ishte pikërisht moszbulimi i planeve të grupit të Radoiçiçit që mori pjesë në incidentin e armatosur në Banjska më 24 shtator”- thuhet në një deklaratë të Forumit, për sigurinë dhe demokracinë…………………..

Kur bëhet fjalë për postin e tij në departamentin e policisë, skandali më i madh u shkaktua nga përgjimi i opozitës ruse që u takuan në atë kohë në Beograd, një aferë që përfundoi me arrestimin e tyre.

Njëri prej tyre, Vladimir Kara-Murza, ka folur për këtë në një intervistë për të përditshmen “Nova” dhe ka treguar në detaje se si është ndjekur nga pjesëtarët e policisë serbe.

“Një javë pas takimit tonë, Vulin udhëtoi për në Moskë dhe personalisht çoi atje transkriptet e bisedave tona të përgjuara” – ka treguarMurza.

Rastësisht apo jo, pas dorëheqjes nga BIA, Vulin-it iu dha Urdhri i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) i nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin. Ai me atë rast tha se urdhri i është dhënë për meritat e tij në bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve ruse dhe serbe.

Më vonë presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik e emëroi atë anëtar të Senatit të Republikës Srpska. Dhe tani,  si përkrahës i teorisë së “botës serbe” ai është blrë pjesë e qeverisë së re serbe.

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING