Politike
‘Uroj të mos jetë lajm i vërtet’/ Bushati kundër hapjes së konsullatës serbe në Shkodër
Deklarata e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriç, për një marrëveshje në parim me Shqipërinë për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc ka sjellë reagime në skenën politike shqiptare.
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka shprehur rezerva për këtë zhvillim, duke thënë se shpreson që njoftimi i bërë nga pala serbe të mos jetë i saktë. Sipas tij, hapja e një konsullate të Serbisë në Shkodër do të ishte një vendim i gabuar si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik.
Bushati argumenton se një prani e tillë konsullore në Shkodër nuk përputhet, sipas tij, me realitetin historik dhe peshën e komunitetit serb në këtë zonë. Ai e lidh këtë çështje edhe me situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke kundërshtuar krijimin e një barazimi mes dy realiteteve.
Ish-kryediplomati shqiptar ka ngritur gjithashtu shqetësime për klimën aktuale politike në rajon, duke përmendur qëndrimet e zyrtarëve serbë ndaj Kosovës dhe çështjet që lidhen me trajtimin e pakicave në Ballkan.
Ndërkohë, nga pala serbe është bërë e ditur se marrëveshja në parim për hapjen e zyrave konsullore është diskutuar gjatë takimeve mes ministrave të jashtëm të dy vendeve. Deri tani, nuk janë bërë publike detaje zyrtare mbi afatet dhe mënyrën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.