Connect with us

Politike

Lista fituese e PS , jemi shumë entuziastë për cilësinë shumë të mirë të aplikantëve

  1. Balla përsa i përket kandidaturave që po kryhen nga vetë qytetarët, sa janë deri tani dhe si do jetë filtri i kontrollit?

Faleminderit për interesimin tuaj! Procesi i një fushate mbarë kombëtare të përfshirjes në listat fituese të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit ka ecur përtej pritshmërive tona.

Për këtë arsye kemi menduar që aplikimet të vijojnë deri në fund të kësaj jave me qëllim që të kemi më pas kohën e mjaftueshme për të bërë vlerësimin paraprak, në dobi të respektimit të rregullave dhe standardeve e kritereve që kemi vendosur që në fillim të këtij procesi.

Dua të them se janë djem e vajza, burra e gra, jo vetëm të rinj ato të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesë e ekipit fitues në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Nuk dua të hyj në komente emrash apo përshkrim të kandidatëve sepse janë me qindra.

Jemi shumë entuziastë për angazhimin që ka krijuar ky proces dhe cilësinë shumë të mirë të aplikantëve. Pas fundit të kësaj jave do kemi një proces përzgjedhës duke respektuar transparencën e deritanishme. Platforma digjitale e ka avantazhin që të garantojë transparencë në këtë proces.

Ju do keni mundësinë që përgjatë procesit të njiheni me kandidatet dhe kandidatët të cilët do vazhdojnë më tej.

Sa është numri i aplikimeve deri tani z. Balla?

Ajo që po ju thoja është se të gjithë të dhënat për numrin e aplikimeve dhe të përzgjedhurve për të kaluar në fazën e dytë do të bëhen publike në përfundim të kësaj jave për të ruajtur të gjithë transparencën e këtij procesi.

  1. Balla, keni një koment për deklaratat e Angela Merkelit? Përse Gjermania bëri këtë kthesë?

Unë nuk dua të hyj në komentet për këtë çështje sepse mendoj, dhe jam i sigurtë në atë që them, se Gjermania mbetet mbështetësi kryesor i një procesi të rëndësishëm që lidhet me fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Gjermania në këto 6 muaj ka presidencën e Bashkimit Europian. Nuk duhet të harrojmë se Gjermania flet duke sjellë të gjithë sensibilitetin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Në rast se ka vende, sikurse për shembull është diskutimi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut sot, të cilat kanë përdorur të drejtën e vetos për të miratuar kuadrin e negociatave dhe përcaktimin e datës së konferencës së parë ndërqeveritare, tregon se nuk ka një konsensus brenda 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian (në kushtet e largimit të Britanisë së Madhe).

Në këtë kontekst do doja që gjithësecili të kuptojë që nuk bëhet fjalë për ndryshim qëndrimi të Gjermanisë. Gjermania në çdo moment ka pasur dëshirën dhe gadishmërinë që konferencat ndërqeveritare të mbahen në dhjetor të këtij viti që korenspondon me përfundimin e presidencës gjermane. Dy presidencat që vijnë më pas besoj se do i kenë në prioritetet e veta konferencat ndërqeveritare.

Maqedonia e Veriut ka probleme vetëm me Bullgarinë ndërsa Shqipëria ka problemin e kushteve?

Varet si i lexoni ju! Unë nuk e kam lexuar kështu. Nuk dua të hyj më tej në komente sepse gjatë momentit që ne flasim po zhvillohet mbledhja e përfaqësuesëve të vendeve anëtare në Bruksel.

Ministri i Jashtëm gjerman ka deklaruar se kusht për Shqipërinë janë ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjin për mediat. Nuk është koment por është deklaratë e bërë menjëherë pas mbledhjes së ministrave të jashtëm.

Të dyja këto çështje janë në proces për të marrë një zgjidhje shumë të mirë. Shqipëria në ditët në vijim do ketë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe ligj për mediat i cili është në të njëjtën linjë me betejën që i ka shpallur Bashkimi Europian, në fillim të kësaj jave, lajmeve të rreme dhe dezinformimit.

Z.Balla, ka disa ligje që do shoqëronin Kodin Zgjedhor të cilat nuk janë miratuar ende! Nesër është afati i fundit, a do kalojnë apo do të shtyhen?

Faleminderit për pyetjen! Ligjet që burojnë nga marrëveshja e 5 qershorit janë ligje që janë në një proces shumë të rëndësishëm diskutimi në Komisionin e Çështjeve Ligjore në Kuvendin e Shqipërisë. Ligjet duhet të jenë konform Kushtetutës së vendit dhe parimet e patjetërsueshme të Reformës në Drejtësi. Në këtë këndvështrim ne po vazhdojmë punën. Komisioni po vazhdon diskutimin dhe konsultimin me institucionet që kanë asistuar që prej ditës së parë Reformën në Drejtësi.

Sikurse jeni të gjithë në dijeni, Kuvendi i Shqipërisë asnjëherë nuk ka marrë vendime të cilat mund të bien ndesh me parimet themelore të Reformës në Drejtësi.

Pra, nuk do të votohen nesër?

Nuk janë të përfshira në rendin e ditës. Kuvendi i Shqipërisë do vijojë punën deri në fund të këtij sesioni. Jam i sigurtë që ligjet do miratohen sepse janë të domosdoshme.

Besoj se biem të gjithë dakord se jemi në kushtet e respektimit të plotë të të gjitha çështjeve që kanë buruar nga marrëveshja e 5 qershorit dhe marrveshja e 23 korrikut me opozitën parlamentare.

Puna për votën e emigrantëve z. Balla, ku ka mbetur?

Unë e përshëndes procesin e deritanishëm. Ne i kemi qëndruar fjalës tonë për të garantuar votën për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit. Duhet të kuptojmë se fatkeqësisht, për shkak të vonesave që na shkaktoi Partia Demokratike dhe pjesa tjetër e opozitës jashtëparlamentare, kemi pasur një vonesë në dhënien e mekanizimit të KQZ për formatin e ri për të krijuar një platformë ku shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të regjistrohen.

Sikurse e ndoqët dhe në zgjedhjet e SHBA, ata që ndodhen jashtë territorit mund të votojnë por duhet paraprakisht të regjistrohen. Unë i bëj thirrje çdo emigranti të regjistrohet.

Nuk ka shqiptar që jeton jashtë territorit që nuk ka dëshirë të marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesëve të popullit.

Pra, është shumë e rëndësishme që shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të regjistrohen! Uroj që ky proces të ecë sa më shpejt. Nga aspekti legjislativ nuk ka më pengesa për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit.

Faleminderit!

 

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *