Aktualitet
“Më tha do të vras…”/ Dëshmia tronditëse e 34-vjeçares: Daja i Zegjeni Çaushit më përdhunoi…
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Roskovec, ku një 52-vjeçar dyshohet se ka shkelur një urdhër mbrojtjeje dhe ka shkuar në banesën e një 34-vjeçareje, duke plagosur me drapër babain e saj.
34-vjeçarja, Merita Gremaj, ka rrëfyer në një intervistë televizive periudhën e vështirë që, sipas dëshmisë së saj, ka përjetuar për rreth 45 ditë në rrethana dhune dhe kërcënimesh nga 52-vjeçari Bledar Bakaj. Ajo pretendon se është dhunuar seksualisht dhe fizikisht, ndërsa është kërcënuar me vdekje nëse do të tregonte për atë që po përjetonte.
Sipas Gremajt, ajo e kishte njohur Bakajn përmes babait dhe ai i kishte premtuar se do ta ndihmonte të gjente një vend pune, duke pretenduar se kishte kontakte me persona me pushtet. Ajo thotë se më pas është marrë me makinë nga ai me pretendimin se do ta dërgonte për ndihmë mjekësore, por sipas dëshmisë së saj, është dërguar në një zonë të izoluar ku është dhunuar.
34-vjeçarja ka treguar se gjatë kësaj periudhe është mbajtur nën kontroll dhe është kërcënuar vazhdimisht. Ajo pretendon se në një moment është dërguar edhe në varreza, ku, sipas saj, 52-vjeçari e ka kërcënuar duke i thënë se aty do të ishte vendi i saj.
Gremaj deklaron se arriti të largohej pas 45 ditësh, duke ikur nëpër ullinj dhe kanale, dhe mori ndihmën e djalit 14-vjeçar të të dyshuarit, i cili, sipas saj, kishte frikë nga babai i tij. Pas largimit, ajo pretendon se ka kërkuar ndihmë edhe nga babai i saj, por ai nuk e ka pranuar në banesë, nga frika se 52-vjeçari mund ta dëmtonte.
Sipas saj, pas kthimit në zonë, kërcënimet kanë vijuar dhe më pas ka ndodhur edhe përplasja në banesën e familjes Gremaj, ku babai i 34-vjeçares mbeti i plagosur me drapër.
Gremaj ka deklaruar gjithashtu se ka bërë kallëzim në polici dhe se situata e krijuar e ka lënë të traumatizuar dhe të frikësuar për jetën e saj.