Connect with us

Bota

Merkel refuzon rolin e ndërmjetëses në bisedimet me Rusinë: S’bëhet pa pushtet aktiv

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka refuzuar mundësinë për të shërbyer si ndërmjetëse e Bashkimit Evropian në bisedime të mundshme paqeje me Rusinë për luftën në Ukrainë.
Duke folur në forumin WDR Europaforum, Merkel deklaroi se nuk beson se është e mundur të zhvillohet diplomaci me Kremlinin pa pasur pushtet politik aktiv.
“Nuk mendoj se mund të bëhet diplomaci me Kremlinin pa pasur pushtet real politik”, u shpreh ajo, sipas raportimeve të medias gjermane Hasepost.
Merkel kujtoi se negociatat me presidentin rus Vladimir Putin pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe shpërthimit të konfliktit në Donbas ishin të mundura vetëm sepse ajo dhe ish-presidenti francez François Hollande ushtronin funksione aktive shtetërore në atë kohë.
“Personalisht, nuk do të më shkonte kurrë në mendje të kërkoja që një ndërmjetës të shkonte në Minsk në vendin tim dhe të fliste me Putin”, deklaroi Merkel.
Deklarata e saj vjen në një moment kur në BE po zhvillohen diskutime intensive mbi formatin e kontakteve të mundshme diplomatike me Moskën për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia kundër Ukrainës.
Sipas burimeve evropiane, Merkel ishte konsideruar si një prej kandidateve kryesore për një rol ndërmjetësues, për shkak të marrëdhënies së saj personale si me Putin, ashtu edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Mbështetësit e kësaj ideje kishin argumentuar se njohja e gjuhës ruse dhe largimi i saj nga politika aktive e bënin Merkel një figurë relativisht neutrale.
Ndërkohë, emra të tjerë janë përmendur si alternativa të mundshme, përfshirë ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Espen Barth Eide, si dhe kryediplomatin indian Subrahmanyam Jaishankar.
Më herët, Putin kishte sugjeruar edhe përfshirjen e ish-kancelarit gjerman Gerhard Schröder si ndërmjetës, por propozimi ishte refuzuar shpejt nga Bashkimi Evropian për shkak të lidhjeve të tij të afërta me Kremlinin.

Advertisement