Bota
Nafta bie në botë, por në Shqipëri mbetet mbi 215 lekë/litër
Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rënie, të ndikuara nga pritshmëritë për përmirësimin e furnizimeve nga Lindja e Mesme. Ndërkohë, në Shqipëri nafta vijon të tregtohet mbi 215 lekë për litër, ndërsa në disa qytete arrin deri në 219 lekë.
Çmimet e naftës në tregun botëror kanë nisur të bien, ndërsa investitorët po shpresojnë për një përmirësim të furnizimeve nga Lindja e Mesme.
Rënia e fundit lidhet edhe me zhvillimet rreth Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme për transportin detar të naftës në botë. Irani dhe Omani kanë arritur një marrëveshje mbi rrugët e transportit detar tregtar përmes ngushticës, megjithëse Teherani ka paralajmëruar se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht rihapjen e menjëhershme të kalimit.
Kontratat e ardhshme të naftës Brent ranë me 0.4%, duke zbritur në 87.50 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate, WTI, u tregtua me 81.89 dollarë për fuçi, gjithashtu me një rënie prej 0.4%.
Në total, kontratat e Brent dhe WTI kanë humbur më shumë se 6% gjatë kësaj jave, pasi optimizmi për një zgjidhje të mundshme lidhur me Ngushticën e Hormuzit ka ndikuar në tregje.
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione më të ashpra ekonomike ndaj Iranit dhe kanë paralajmëruar vendet e tjera për pasojat e tregtisë me Teheranin.
Zhvillimet diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit kanë sjellë gjithashtu sinjale të ndryshme, me raportime për një përmirësim të mundshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Mediat shtetërore ruse kanë raportuar edhe për një marrëveshje të re armëpushimi që mund të shpallet në ditët në vijim.
Mali i Zi ul çmimin, Shqipëria vijon mbi 215 lekë
Ndërkohë, një situatë tjetër paraqitet në Malin e Zi, ku qeveria ka vendosur të ulë më tej akcizat për benzinën dhe naftën, me synim zbutjen e ndikimit të çmimeve të karburanteve te konsumatorët.
Masat e reja kanë hyrë në fuqi më 25 gusht dhe do të jenë të vlefshme deri më 5 shtator.
Pas uljes së akcizave, një litër naftë në Malin e Zi tregtohet me 1.87 euro, një cent më pak se më parë. Ndërsa benzina Eurosuper 98 kushton 1.79 euro për litër, gjithashtu me një ulje prej një centi.
Në Shqipëri, ndërkohë, çmimet vijojnë të jenë në nivele të larta.
Nafta prej fillimit të muajit vazhdon të tregtohet me më shumë se 215 lekë për litër, ndërsa në qytete të ndryshme çmimi arrin deri në 219 lekë për litër.
Kështu, ndërsa tregjet ndërkombëtare po regjistrojnë rënie dhe vende të rajonit po ndërhyjnë për të lehtësuar barrën e çmimeve të karburanteve, në tregun shqiptar çmimi i naftës vijon të mbetet mbi 215 lekë për litër.