Bota
Ndryshim regjimi në Iran/ Trump: Eshtë vetëm fillimi i një pakti më të gjerë në Lindjen e Mesme
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Washingtoni do të godasë sërish Iranin nëse Teherani shkel marrëveshjen e armëpushimit të arritur mes dy vendeve.
“Do ta bombardojmë fort Iranin nëse shkel armëpushimin. Në fakt, isha gati ta bombardoja të enjten”, u shpreh Trump gjatë një deklarate për mediat.
Presidenti amerikan tha se marrëveshja e armëpushimit përfaqëson “fillimin e një marrëveshjeje shumë më të madhe në Lindjen e Mesme”, duke shtuar se negociatat do të shtrihen edhe në çështje të tjera rajonale, përfshirë Libanin, programin bërthamor iranian, raketat balistike dhe grupet e armatosura aleate të Teheranit.
Trump pretendoi gjithashtu se Irani ka pësuar një “ndryshim regjimi”, duke argumentuar se udhëheqja aktuale iraniane është ndryshe nga ajo që drejtonte vendin para konfliktit.
“Një grup drejtuesish është larguar, një grup i dytë po ashtu. Mendoj se është më mirë ta quajmë ndryshim regjimi”, deklaroi ai.
Sipas Trump, Shtetet e Bashkuara kanë neutralizuar rreth 84 deri në 85 për qind të arsenalit balistik iranian, ndërsa pjesa e mbetur ndodhet në objekte nëntokësore.
Ai shtoi se bllokada amerikane në Ngushticën e Hormuzit ka pasur ndikim më të madh se vetë fushata ushtarake kundër Iranit.
“Bllokada në Hormuz ishte më me ndikim se të gjitha bombardimet”, tha Trump.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se bisedimet teknike mbi rezervat bërthamore iraniane do të nisin menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes Washington-it dhe Teheranit, i cili pritet të finalizohet në ditët në vijim.