Connect with us

Aktualitet

“Nesër më duhen 200 mijë”/ SPAK publikon bisedën e Metës me Ismailajn

SPAK lexoi në gjykatë kërkesën për gjykim për episodin CEZ-DIA, ku prokurori i posaçëm Sotir Kllapi paraqiti disa nga gjetjet e hetimit për Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Sipas prokurorit, nga hetimet kanë dalë lidhje të afërta mes Metës dhe biznesmenit Kastriot Ismailaj. Në sallë u përmend edhe një mesazh i vitit 2009, ku sipas SPAK, Meta i shkruante Ismailajt: “Nesër më duhen patjetër 200 mijë, mos harro”.

Ky pretendim u kundërshtua nga avokati Kujtim Cakrani, i cili tha se kjo pjesë nuk ndodhet në dosjen që disponon mbrojtja.

Gjatë leximit të kërkesës, Kllapi tha se në banesën e Fatime Kryemadhit është sekuestruar një aparat celular “iPhone”, nga ku janë marrë të dhëna dhe biseda të konsideruara të vlefshme për hetimin.

Sipas tij, në të njëjtën banesë janë gjetur edhe dy mandate pagesash bankare.

Prokurori foli edhe për marrëdhëniet e Metës dhe Kryemadhit me biznesmenin Adrian Shatku, për të cilin tha se zotëron disa kompani.

Sipas SPAK, ata kanë ndikuar që Shatku të hynte në tregun shqiptar dhe janë evidentuar takime të Metës me të në Marok dhe në SHBA.

Në seancë u tha gjithashtu se Meta dhe Kryemadhi kanë ndikuar tek ish-ministri Edmond Haxhinasto për ndryshimin e një urdhri.

Pjesë e kërkesës për gjykim ishte edhe episodi i lobimit të ish-LSI në SHBA. Sipas SPAK, LSI kishte lidhur marrëveshje me disa kompani lobimi, të raportuara si kontrata që zgjatën një vit e katër muaj, por që sipas hetimit rezultojnë të kenë zgjatur vetëm një muaj, me një kosto prej 15 mijë dollarësh të kaluar përmes llogarive bankare.

Në sallë u përmendën edhe faturat e pagesave: një faturë e datës 10 shkurt 2016, një tjetër më 11 maj 2016 dhe një faturë tjetër më 28 qershor. Sipas SPAK, tre prej faturave janë paguar nga LSI në vlerën totale 93 mijë dollarë, ndërsa një pagesë është kryer nga një kompani e Adrian Shatkut.

Sipas prokurorit, Meta ka qenë në dijeni që LSI financonte marrëveshjen e lobimit dhe se një pjesë e pagesave kryhej nga Shatku në SHBA. Në seancë u tha gjithashtu se LSI kishte marrë shërbime nga kompania GSIS dhe se Meta, bashkë me Edmond Panaritin, kishin udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara në kuadër të këtyre marrëdhënieve.

Advertisement