Politike
Rama: Kaq vite pa folur me Rusinë, tregon se Europa ka problem me vendimmarrjen
Gjatë Forumit Botëror Future Investment Initiative (FII) në Romë, Kryeministri Rama u ndal edhe te politika e Europës.
Si fillim, ai tha se Shqipëria është mike e mirë me të gjitha shtetet e Lindjes së Mesme, përveç regjimit kriminal të Teheranit.
Më pas ai shtoi se fakti që Europa është lënë jashtë konfliktit për Ngushticën e Hormuzit, tregon se ka probleme me vendimmarrjen dhe politikën, duke e lidhur edhe me pozicionin e saj në luftën Ukrainë-Rusi.
“Ndërkohë që kur bëhet fjalë për ne, Shqipëria, për Shqipërinë, ne jemi miq shumë të mirë me të gjithë në Lindjen e Mesme me përjashtim të regjimit kriminal të Teheranit. Kështu që urojmë më të mirën sidomos për vëllezërit tanë në vendet e Gjirit. Megjithatë po mendoja në ç’hotel me 5 yje në Arabinë Saudite, Katar apo në Shqipëri do të të jepnin një shishe të tillë pa gotë dhe do të thonin “mirë se erdhe në konferencën tonë”.
Kështu po sillet së fundmi Europa për inerci, në një inerci që thotë: “I kemi të gjitha. Nuk na mungon asgjë. Ne do të jemi gjithmonë të mëdhenj pavarësisht ç’ndodh”, dhe në të njëjtën kohë, po humb pikërisht atë që të tjerët po e arrijnë me hapa të mëdhenj. Unë mendoj që kur bëhet fjalë për Europën dhe rolin e Europës, gjithçka thuhet me shumë qartësi çfarë mungon, çfarë ka pasur Europa, por ka një gjë që në fakt është problemi numër 1 i Europës dhe që Europa nuk po ia del ta trajtojë, që është politika. Kapaciteti për të pasur një vizion të përbashkët, aftësia për të marrë vendime të përbashkëta, aftësia për të zbatuar në kohë gjithçka që është vendosur.
Pra, kur bëhet fjalë për atë që thatë apo për këtë gjënë e Ngushticës së Hormuzit, në fakt të bën të shohësh se si Europa është brenda dhe jashtë, është aty, por nuk është aty. Edhe kur bëhet fjalë për krizën më të madhe me të cilën Europa është përballur që pas Luftës së Dytë Botërore. Europa që qëndron krah Ukrainës është gjëja e duhur për t’u bërë, por Europa që nuk flet me Rusinë për kaq shumë vjet, thotë edhe njëherë se cili është problemi me të cilin duhet të përballet Europa, që është politika dhe kapaciteti politik e vendimmarrja”, tha Rama.