Aktualitet
REKORD INVESTIMESH NË SHQIPËRI/ DASH: Korrupsioni, prona dhe emigrimi mbeten pengesa
Departamenti Amerikan i Shtetit e vlerëson Shqipërinë si një ekonomi me potencial dhe me rritje të ndjeshme të investimeve të huaja, por paralelisht evidenton një sërë problematikash strukturore që vijojnë të ndikojnë në klimën e biznesit.
Sipas raportit për klimën e investimeve, ekonomia shqiptare u rrit me 3.7 për qind gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni zbriti në rreth 2.2 për qind. Po të njëjtin vit, borxhi publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto ra në 52.6 për qind, nga 75 për qind që ishte në vitin 2021.
Një nga treguesit kryesorë të evidentuar nga DASH është rritja e investimeve të huaja direkte. FDI arriti në 1.84 miliardë dollarë në vitin 2025, niveli më i lartë i regjistruar deri tani, ndërsa stoku total i investimeve të huaja arriti në rreth 17 miliardë dollarë.
Edhe investimet amerikane kanë shënuar rritje. Stoku i investimeve amerikane në Shqipëri arriti në 490 milionë dollarë në vitin 2025, nga 382 milionë një vit më parë, ndërsa investimet e reja amerikane gjatë vitit arritën në rreth 72 milionë dollarë.
Raporti vëren se Shqipëria ofron në përgjithësi një regjim liberal për investimet e huaja dhe lejon, me disa përjashtime sektoriale, pronësi 100 për qind të huaj në kompani. Mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara është në fuqi edhe Traktati Bilateral i Investimeve i vitit 1998. Megjithatë, dy vendet nuk kanë një marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë.
Investimet e huaja në Shqipëri janë përqendruar kryesisht në pasuritë e paluajtshme, shërbimet financiare, industrinë nxjerrëse dhe tregtinë. Në vitin 2025, 34 për qind e flukseve të FDI-së shkuan në pasuri të paluajtshme, 18 për qind në shërbime financiare, ndërsa industria nxjerrëse dhe tregtia me shumicë e pakicë përbënin nga 10 për qind secila.
Sa i përket investimeve strategjike, raporti vëren se shumica e projekteve janë përqendruar në turizëm dhe janë financuar kryesisht nga investitorë vendas. Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, është zgjatur disa herë dhe aktualisht është në fuqi deri në dhjetor 2026.
Por krahas treguesve pozitivë, DASH evidenton edhe një sërë shqetësimesh të ngritura nga investitorët. Korrupsioni renditet ndër problemet kryesore, së bashku me konkurrencën e pandershme, pastrimin e parave, ekonominë informale dhe problematikat në administratë, drejtësi dhe prokurime publike.
Raporti vëren se reforma në drejtësi e nisur në vitin 2016 ka sjellë ndryshime të rëndësishme në sistem, ndërsa procesi i vettingut ka çuar në largimin ose dorëheqjen e më shumë se gjysmës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu nënshtruan procesit. DASH evidenton gjithashtu forcimin e SPAK-ut dhe strukturave të tjera kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në të njëjtën kohë, largimet nga sistemi kanë krijuar vakanca dhe vonesa në shqyrtimin e çështjeve, veçanërisht në gjykatat e apelit. Sipas raportit, Bashkimi Evropian pret që Shqipëria të rrisë hetimet dhe rezultatet konkrete në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Një tjetër problem i rëndësishëm mbetet prona. Pasiguria mbi titujt e pronësisë, dokumentacioni i paplotë, problemet e regjistrimit dhe nevoja për verifikimin e të dhënave vijojnë të përbëjnë një shqetësim për investitorët.
Sipas të dhënave të cituara në raport, rreth 91 për qind e territorit është regjistruar, por digjitalizimi mbetet i papërfunduar. Vetëm 43 për qind e titujve të pronësisë, 69 për qind e dokumenteve mbështetëse dhe 10 për qind e hartave kadastrale ishin digjitalizuar. Rreth 80 për qind e të dhënave të regjistruara më parë kërkojnë verifikim.
DASH evidenton gjithashtu emigrimin e fuqisë punëtore si një sfidë për ekonominë. Në vitin 2025, forca e punës ishte rreth 1.28 milionë persona, ndërsa numri i të punësuarve rreth 1.17 milionë, me një normë zyrtare papunësie prej 8.3 për qind.
Sipas raportit, emigrimi i të rinjve dhe punonjësve të kualifikuar po krijon mungesa në tregun vendas, duke bërë që kompani të rekrutojnë gjithnjë e më shumë punonjës nga vende të tjera, përfshirë vendet e Azisë Juglindore. Gjetja e stafit të kualifikuar është identifikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë si një nga shqetësimet kryesore të bizneseve.
Edhe informaliteti mbetet një dobësi. Sipas INSTAT, informaliteti në punësimin jo-bujqësor ishte 24.7 për qind në vitin 2024, ndërsa organizatat ndërkombëtare e vlerësojnë ekonominë informale në rreth 30 deri në 35 për qind të PBB-së. Bujqësia, tregtia dhe ndërtimi janë ndër sektorët më të ekspozuar.
Në sektorin financiar, tabloja e paraqitur nga DASH është më pozitive. Kreditë me probleme ranë në 3.8 për qind në fund të vitit 2025, nga 4.17 për qind një vit më parë, ndërsa kredidhënia arriti në rreth 10.7 miliardë dollarë, me një rritje prej 13.4 për qind. Mjaftueshmëria e kapitalit të sistemit bankar ishte 20.36 për qind, mbi kërkesat e Bazelit.
Raporti evidenton gjithashtu avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Negociatat për anëtarësimin nisën në korrik 2022, screening-u përfundoi në vitin 2023 dhe të gjitha grupimet e negociatave ishin hapur deri në nëntor 2025. Qeveria shqiptare synon përfundimin e procesit të anëtarësimit deri në vitin 2030.
Në tërësi, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit paraqet një tablo me dy drejtime: Shqipëria ka përmirësuar treguesit makroekonomikë dhe ka tërhequr një nivel rekord investimesh të huaja, ndërsa korrupsioni, pasiguria mbi pronën, konkurrenca e pandershme, informaliteti, mungesa e fuqisë punëtore dhe problematikat në sistemin e drejtësisë mbeten çështje që ndikojnë në klimën e investimeve.